Pavarësisht se u reklamua me bujë të madhe nga qeveria dhe Ministria e Arsimit, studentët e Universitetit të Shkodrës nuk kanë përfituar nga përgjysmimi i tarifës së studimit, pavarësisht mesatares që kanë pasur.

Mund të duket absurde, por sqarimi që japin drejtuesit e Universitetit është se ka ndodhur një keqinterpretim, që do të rëndojë edhe më shumë xhepat e studentëve të Shkodrës.

Pedagogu Peter Saraçi ka qenë i pari, i cili që në Janar ka dërguar shkresa bordit administrativ dhe senatit duke kërkuar rishikimin e procedurës.

“Kishte një vendim të Këshillit të Ministrave që i përgjysmonte tarifat studentëve që kishin mesataren mbi 6. Unë i kam kërkuar Bordit Administrativ që të pezullohej pagesa, derisa të kishte një saktësim të kësaj çështje. Nga data 8 Shkurt, studentët tashmë kanë paguar tarifat e plota.

Nuk mund të penalizohen studentët se kanë pasur provime të mbartuara sa kohë që për të kaluar vitin atyre iu duhet një numër i caktuar kreditesh. Në të gjitha universitetet e tjera, është bërë një rienterpretim i VKM-së.

Ministria e Arsimit i është përgjigjur bordit të administrimit, dhe problem është bërë senati i Universitetit. Ne nuk kemi të drejtë që të riinterpretojmë vendimet e Këshillit të Ministrave, ne duhet vetëm ti zbatojmë ato”, u shpreh Saraçi.

Lidhur me këtë ka folur për gazetaren e Fax News Emi Kalaja dhe zv. rektori i Universitetit të Shkodrës, Gëzim Dibra, i cili ka hedhur fajin në drejtim të ministrisë që sipas tij e interpretoi me vonesë Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Dibra nga ana tjetër e anashkaloi pyetjen e gazetares nëse do t’iu kthehen paratë mbrapsht studentëve, të cilat iu janë marrë në shkelje me ligjin.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=qxUe-_zyaWA]
Pavarësisht se ministria është shprehur se do të përgjysmohen tarifat dhe për studentët që kanë marrë kreditet, edhe pse kanë lëndë të mbartura numri 2 i Universitetit të Shkodrës e gjen me vend të japë dhe një koment personal.

Sipas tij nuk është e drejtë që studentëve që kanë lëndë të mbartura t’iu përgjysmohet tarifa, pasi në këtë rast nuk do kishte stimul që ata të mësonin.

“Ne e kemi trajtuar me senatin akademik këtë çështje, derisa ministria interpretoi për herë të dytë vendimin e saj.

Nëqoftë se janë paguar tarifat këto janë mangësi të vendimit të ministrisë, tani për mendimin tim nuk është e drejtë që një student që është përsëritës ti përgjysmohet tarifa, se mungon stimuli në këtë mënyrë. Gjithmonë ky është mendimi im, ky student duhet të marrë gjysmën e tarifës, se në këtë mënyrë i bie të jenë të gjithë studentët në listë”, tha Dibra.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re