Skip to content

Universiteti përtej auditorëve: A po e kthejmë dijen në zhvillim?

Filologjiku

Bledar Komina 

Një studim në universitetet e Ballkanit Perëndimor nxjerr në pah potencialin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, por edhe sfidën e kthimit të dijes në ndikim konkret për ekonominë dhe shoqërinë. Në diskutimet për të ardhmen e universiteteve, shpesh flasim për cilësinë e mësimdhënies, numrin e studentëve, programet e studimit, publikimet shkencore apo projektet ndërkombëtare. Të gjitha këto janë tregues të rëndësishëm të zhvillimit akademik. Megjithatë, në një kohë kur shoqëria dhe ekonomia përballen me ndryshime të shpejta, një pyetje tjetër bëhet gjithnjë e më e rëndësishme: sa arrin universiteti ta kthejë dijen që prodhon në vlerë për shoqërinë?

Universiteti modern nuk mund të jetë vetëm një institucion ku transmetohet njohuria dhe zhvillohet kërkimi shkencor. Ai duhet të jetë një aktor aktiv në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor, një partner i biznesit dhe institucioneve publike, si dhe një burim idesh dhe zgjidhjesh për problematikat që shoqëria përballet çdo ditë. Pikërisht këtë dimension të rolit të universitetit e trajton studimi i realizuar në kuadër të projektit Iniciativa në Bashkëpunim, Kërkim dhe Inovacion në Universitetet e Ballkanit Perëndimor (ICRI-WB), i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Studimi, i zhvilluar nga një grup kërkuesish të dy universiteteve shqiptare, synon të analizojë kapacitetet kërkimore, bashkëpunimin ndëruniversitar, inovacionin dhe mundësitë që universitetet kanë për të kontribuar më drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë.

Studimi përfshiu gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, 13 universitete dhe 555 pjesëmarrës, ndër të cilët pedagogë, kërkues shkencorë, doktorantë dhe drejtues akademikë. Përmes analizës së dokumenteve strategjike nw nivel kombwtar dhe tw universiteteve, anketimit dhe fokus-grupeve, u shqyrtua jo vetëm ku ndodhen universitetet në aspektin e kapaciteteve dhe politikave të kërkimit, por edhe se cilat janë përvojat, vështirësitë dhe mundësitë që hasen në praktikën e përditshme akademike.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua të ashtuquajturit “mision i tretë” i universitetit, koncept që përfshin angazhimin e tij përtej mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, përmes bashkëpunimit me bizneset, institucionet publike, organizatat dhe komunitetin. Ky dimension është veçanërisht i rëndësishëm për universitetet e vendeve në zhvillim, ku kërkesa për inovacion, rritje të produktivitetit, sipërmarrje dhe zgjidhje të problemeve konkrete është gjithnjë e më e madhe.

Gjetjet e studimit tregojnë se kapacitetet kërkimore, bashkëpunimi rajonal dhe mundësitë për inovacion vlerësohen përgjithësisht pozitivisht. Kjo është një shenjë inkurajuese, pasi tregon se në universitetet e rajonit ekzistojnë potenciali njerëzor, përvoja dhe dëshira për të zhvilluar kërkimin dhe bashkëpunimin. Megjithatë, kur vlerësohet ndikimi konkret i kërkimit shkencor në praktikë, tabloja bëhet më komplekse. Pikërisht këtu shfaqet një hendek që meriton vëmendje: universitetet mund të kenë kapacitete dhe të prodhojnë njohuri, por jo gjithmonë arrijnë t’i shndërrojnë ato në rezultate që përdoren nga bizneset, institucionet apo komuniteti.

Sot, suksesi i kërkimit shkencor nuk duhet të shihet vetëm përmes numrit të artikujve të publikuar apo projekteve të realizuara. Sigurisht, këto janë elemente të rëndësishme të veprimtarisë akademike, por vlera e kërkimit rritet ndjeshëm kur ai kontribuon në përmirësimin e proceseve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, mbështetjen e politikave publike apo zgjidhjen e problemeve të sektorëve ekonomikë.

Studimi evidenton se inovacioni dhe transferimi i njohurive janë ndër elementet më të rëndësishme për të krijuar këtë lidhje. Një ide e mirë kërkimore nuk duhet të mbetet vetëm në laborator, në një artikull shkencor apo në një prezantim konferencash. Ajo duhet të ketë mundësi të zhvillohet, të testohet, të diskutohet me aktorët që mund ta përdorin dhe, kur është e mundur, të zbatohet.

Kjo kërkon një ndryshim në mënyrën se si mendojmë dhe organizojmë veprimtarinë universitare. Kërkuesit kanë nevojë për kohë, mbështetje administrative, financim, partnerë dhe struktura që i ndihmojnë të kalojnë nga ideja te projekti dhe nga projekti te rezultati. Ndër problematikat e evidentuara në studim janë procedurat administrative, vështirësitë në koordinim, mungesa e kohës për kërkimin, mbështetja jo e mjaftueshme për zhvillimin e ideve dhe kapacitetet e ndryshme ndërmjet nstitucioneve. Po ashtu, bashkëpunimi me bizneset dhe institucionet nuk duhet të mbetet vetëm në nivel marrëveshjesh, por duhet të shoqërohet me aktivitete, projekte dhe objektiva të përbashkëta.

Një gjë është e qartë, transformimi i universitetit në një aktor më të fuqishëm të zhvillimit nuk varet vetëm nga iniciativa individuale e pedagogëve dhe kërkuesve. Ai kërkon mbështetje institucionale dhe një mjedis që e vlerëson kërkimin, bashkëpunimin dhe inovacionin. Universitetet duhet të investojnë më shumë në struktura që mbështesin kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive, të përmirësojnë proceset administrative dhe të krijojnë mekanizma për bashkëpunim të qëndrueshëm me bizneset dhe institucionet publike. Kërkuesit duhet të kenë mundësinë të përqendrohen në punën shkencore, ndërsa mbështetja administrative dhe financiare duhet të jetë më efikase dhe më e orientuar drejt rezultateve.

Nga ana tjetër, bizneset duhet ta shohin universitetin jo vetëm si burim të diplomuarish, por edhe si partner për zhvillim, kërkim, testim idesh dhe zgjidhje inovative. Institucionet publike mund të përfitojnë gjithashtu nga ekspertiza akademike në hartimin e politikave, analizimin e problematikave dhe vendimmarrjen e bazuar në evidencë.

Në nivel rajonal, universitetet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të konsiderueshme për të zhvilluar bashkëpunime më të thella. Projektet e përbashkëta, rrjetet e kërkuesve, programet akademike, doktoraturat dhe shkëmbimi i ekspertizës mund të krijojnë kapacitete që asnjë institucion nuk do të mund t’i zhvillonte në mënyrë të izoluar.

Për universitetet e Ballkanit Perëndimor, sfida e së ardhmes nuk është vetëm të rrisin kapacitetet akademike, por të ndërtojnë një lidhje më të fortë ndërmjet dijes dhe zhvillimit. Kjo do të thotë të jenë më të hapura ndaj nevojave të shoqërisë, të dëgjojnë biznesin dhe komunitetin, të bashkëpunojnë me institucionet dhe të krijojnë hapësira ku idetë mund të kthehen në zgjidhje.

Universiteti duhet të mbetet një institucion i pavarur i dijes dhe mendimit kritik, por njëkohësisht të jetë më i pranishëm në diskutimet dhe proceset që përcaktojnë të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendit. Në fund, ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është sa kërkime shkencore kryejmë, por sa arrijmë të bëjmë me dijen që krijojmë. Sa probleme ndihmojmë të zgjidhen? Sa ide kthehen në inovacion? Sa biznese, institucione dhe komunitete përfitojnë nga ekspertiza universitare?

Universitetet e së ardhmes nuk do të vlerësohen vetëm për dijen që prodhojnë, por edhe për aftësinë e tyre për ta vënë atë në shërbim të zhvillimit. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida jonë: ta kthejmë potencialin akademik në ndikim real.