Efekti i rritjes së çmimeve po ndihet ditë pas dite në ekonomitë e familjeve shqiptare, ku shumë prej tyre nuk e përballojnë dot, dhe detyrohen që të blejnë ushqime me cilësi më të ulët. Efektet e kësaj rritje ndihen dhe në Fier, ku dhe vetë tregtarët pranojnë se janë duke shitur më shtrenjtë, pasi edhe vetë ata janë duke i blerë me një çmim shumë më të lartë se vitet e kaluara.

Duke folur për Fax News, një prej tregtarëve që shet brenda tregut të fruta perimeve në Fier, tha se është koshient që çmimet janë rritur, dhe nëse do të kishte dhe shtrenjtim të energjisë elektrike, për ta do të ishte e papërballueshme.

“Populli është i varfër, është fukara, më vjen shumë keq, unë vetë paguaj taksa, është shumë e vështirë. Shitësit në rrugë dhe në lagje mua më prishin shumë punë, deri tani nuk ka asnjë reagim nga Bashkia. Nëse rriten energjia dhe nafta do të jetë shumë e vështirë. Domatja ka pësuar rritjen më të madhe, speca, janë rritje në ekstrem, ka shkuar buka 1 mijë e 200 lekë, është krizë e paparë”, u shpreh tregtari.

Ndërkohë që shtresa që e ndjen më së shumti rritjen e çmimeve është padyshim ajo e pensionistëve, të cilëve prej kohësh nuk iu është rritur pensioni.

“Janë ngritur, për ne si pensionistë janë upupu, janë shumë keq. Më keq akoma do bëhet, edhe te karburantet keq është për të rinjtë. Kam punuar 33 vite mësuese dhe marr 170 mije lekë, janë shumë pak. Duhet te mendojë çik mirë ai që të na shikojë edhe ne”, shprehet një qytetare për Fax News.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re