Skip to content

Uraganet: si u shkrumbua ky qytet historik

Një zjarr i madh, i shkaktuar nga erërat e forta uragane, shkatërroi qytetin historik të Lahaina, që ndodhet në ishullin Maui në Hawaii.

Senatori i shtetit amerikan Brian Schatz tha në rrjetet sociale se Lahaina ishte “pothuajse plotësisht e djegur deri në tokë”.

Të paktën gjashtë persona u shuan në lagjen Maui, thanë zyrtarët të mërkurën, 9 gusht.

Spitalet Maui janë të mbingarkuar me pacientë të djegur dhe njerëz me dëmtime të mushkërive nga thithja e tymit.

“Zjarrfikësit janë ende duke u përpjekur për të vënë nën kontroll zjarret dhe reaguesit e parë janë në fazën e kërkim-shpëtimit”, tha Schatz.

Pati raportime për disa njerëz që hidheshin në oqean për t’i shpëtuar flakëve që lëviznin me shpejtësi. Roja Bregdetare e SHBA tha se shpëtoi të paktën një duzinë njerëz nga uji.

Kryetari i Bashkisë Maui, Richard Bissen Jr tha në një konferencë shtypi se shumë shtëpi dhe struktura biznesi u shkatërruan plotësisht.

Një banor i qytetit me rreth 12,000 banorë tha për mediat lokale se çdo anije në portin e qytetit ishte në zjarr.

“Duket si diçka nga një film, një film lufte,” tha Chrissy Lovitt për Hawaii News Now, sipas BBC.

Zyrtarët thanë se ishte ende e vështirë për të përcaktuar shkallën e vërtetë të dëmit në Maui dhe paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet, me rreth 2,100 njerëz të zhvendosur.

Njerëzit që jetojnë në Lahaina thanë se janë të shqetësuar për anëtarët e familjes që janë zhdukur.

“Unë ende nuk e di se ku është vëllai im i vogël,” tha Tiare Lawrence për Hawaii News Now. “Nuk e di ku është njerku im”.

“Të gjithëve që njoh në Lahaina u janë djegur shtëpitë,” tha znj. Lawrence.