Nga Kavaja ish kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministrin Rama se është i lidhur me krimin dhe në këtë mënyrë qëndron në pushtet.

Berisha u shpreh se aksioni opozitar në Parlament do të vazhdojë, pasi është një betejë e shenjtë dhe bëhet për idealet e cdo shqiptari që kërkon pluralizmin.

Në këto 10 vite, tha Berisha, Edi Rama rrëzoi një nga një shtyllat e një shoqërie të lirë. Shtyllat e një rendi demokratik.

“Kushdo që do të shohë seancën e parë të parlamentit, i ulur me deputetët të tjerë, tashmë jo kryeministër, e marr fjalën dhe i them: Edi Rama, lidhjet tua me krimin janë universale dhe janë universalisht të njohura. Por gjithçka do varet si do e përdorësh ti pushtetin, do e përdorësh për t’i prerë ato lidhje dhe ky do jetë fat i bardhë për Shqipërinë. Unë i përkisja atyre që besoja dhe besoj se alternanca e pushtetit është kusht që një vend të jetojë në demokraci. Po i mbajte ato lidhje dhe i ushqeve me pushtetin që mban, ti i bën gjëmën Shqipërisë.

E vërteta është se këto 10 vite, ndoshta pas diktatorit Enver Hoxha, është gjëmëbërësi më i madh i Shqipërisë në histori.

Në këto 10 vite ai në vend se të respektonte, rrëzoi një nga një shtyllat e një shoqërie të lirë, shtyllat e një rendi demokratik. AI rrëzoi votën!

Vërsuli në të katër anët e Shqipërisë banda kriminele, drogë, pushtet dhe çdo gjë që qytetarët të mos votojnë të lirë. Ai vendosi një raport në Shqipëri mes votës dhe krimit, raport në të cilin krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.

Rama fitoi Shkodrën, por Shkodrën sot e qeverisin Gjokat, dhe bandat. Jo vetëm Shkodrën, por edhe Durrësin, Elbasanin, Fierin e me radhë.

Ç’ndodh pastaj? Këta kriminelë marrin tituj të investitorit strategjik.

Çfarë po ndodh në Parlament? Ju garantoj se në këtë diktaturë që Samuel Huntington thotë se diktatura e bandave është më e keqe shumë se diktatura komuniste, naziste. Është forma më e egër e diktaturës.

Çfarë ndodh sot miqtë e mi, pasi në moton e vjetër të dikurshme që ‘populli voton dhe votat ja numëron partia’, tani ‘populli voton dhe votat ja numëron krimin’.

Opozitën ai e urren për vdekje. Unë jam këtu në takimin më të rëndësishëm të jetës time pas vitit 1991, sepse ky pinjoll, apo ky bastard i xhelatëve që përmbysëm në 90 është vërsuluar me urrejtje kundër opozitës.

Pasi korruptoi në mënyrën më të ulët ish kreun e saj, i mori vulën, i hoqi emrin partisë tuaj nga listat, PD. Hoqi emrin e Sali Berishës si kryetar koalicioni, e megjithatë ne 600 mijë shqiptarë nuk u përkulën.

Po tani çfarë ndodh? Tani që me bashkimin e grupit parlamentar ai mori goditjen më të rëndë. Hodhi në aksion veprimet e tij më antikushtetuese, veprimet e tij antiopozitare. Shumëzoi me zero votën tuaj, shumëzoi me zero deputetët në Parlament. Ajo që shihni në Parlament është një beteje e shenjtë. Ne si opozitarë nuk na lën të zgjedhim përfaqësuesin tonë, por thotë do keni Enkeledin e tij.

A ka poshtërim më të madh për opozitën sesa ky. Në parlament sigurisht blloqet janë të kundërta, por kushtetuta ka rregulluar të drejtat e secilit bllok. Kushtetuta i njeh deputetit të drejtën e hartimit të ligjit, për ju dhe në interesin tuaj. I jep të drejtën që ai ligj të kalojë në komisione, të votohet në komisione, të vijë në parlament dhe të votohet.

Çfarë ndodhi me ne? 32 ligje, amendamente, që të gjitha mbaheshin në sirtarin e kryetares së Parlamentit me urdhër të Edi Ramës.

Ajo që shihni juaj është epike për idealet tuaja dhe të çdo shqiptari që don pluralizmin”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re