Vendet anëtare të Bashkimit Evropian mund të dhurojnë tepricat e tyre të vaksinave anti-Covid për vendet e Ballkanit.

Deklarata u bë dje në mbrëmje nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që mbajti një video-konferencë në krah të presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, në përfundim të Samitit të BE-së.

Von der Leyen foli lidhur me kontratat e firmosura nga BE për sigurimin e vaksinës dhe kategoritë sociale që do të përfitojnë të parat kur vaksina të jetë gati dhe të mbërrijë në Evropë.

Ajo theksoi se vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të përfitojnë nga platforma ndërkombëtare Covax për sigurimin e vaksinave të para.

“Sa i takon pyetjes për fqinjësinë, ka një qasje të dyfishtë. Më i rëndësishmi dhe më mbresëlënësi është Covax, që e kemi ngritur së bashku me rreth 119 vende që janë anëtarësuar.

Parimi është që vendet me të ardhura të larta duhet të financojnë Covax për të garantuar qasjen tek vaksina edhe për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, tha der Leyen.

Ajo theksoi se nëse vendet anëtare të bllokut do të kenë tepri dozash dhe do t’u lejohet do t’i dhurojnë një pjesë të tyre për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sjellim në vëmendje që Komisioni Evropian ka arritur tanimë marrëveshje me dhuruesit kryesorë potencial të vaksinës për qindra miliona doza të tyre, që do ndahen njëkohësisht dhe në mënyrë të barabartë për shtetet.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re