Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka komentuar vendimin e fundit të Donald Trump për të mbyllur USAID. Sipas tij, ky funksion i diplomacisë amerikane mund të ristrukturohet, por nuk do të zhduket.
Malaj deklaroi se konsiderohet si shqetësim vrulli me të cilën ka nisur Donald Trump, ndërsa u shpreh se masat me urdhra administrative nuk e bëjnë më të fortë SHBA.
Ish ministri tha se SHBA nuk është vendi kryesor që jep ndihma ndërkombëtare, por janë vendet nortike më bujaret.
“SHBA kanë shumë institucione me të cilat realizojnë diplomacinë ekonomike. Po të shikojmë të gjitha vendet kanë një strukturë të tillë të ndihmës ndërkombëtare. Në flasim për ndihmën që jep Zvicra, Gjermania, Italia etj. Shqetësimi i ngritur është nëse krijohet një boshllëk.
SHBA nuk janë vendi kryesor në ndihmën ndërkombëtare, ata harxhojnë në raport me GDP vetëm 0.2 dollarë, pra 2 dollarë në 1 mijë. Vendet me bujare janë vendet nordike, që kanë deri në 1% të GDP, që e shpërndajnë për qëllime të caktuara.
E dyta që është shqetësim është vrulli me të cilën e ka filluar presidenti Trump, masat që po merr me urdhra administrativ nuk do ta bëjnë më të fortë Amerikën, do ta bëjnë më të dobët.
Unë jam i bindur që në thelb ky funksion i diplomacisë amerikane nuk do të zhduket, do të ristrukturohet, ka elementë që duhen përmirësuar për eficencën”, tha Malaj në emisionin Open në News24.