Edhe pse në fushatë elektorale, në Turqi nuk e kanë lënë për asnjë çast jashtë vëmendjes çështjen e Menbixhit.

Një marrëveshje me amerikanët ka mundësuar hyrjen e forcave të armatosura turke në Menbixh për të garantuar siguri dhe paqe, është konfirmuar në ditën e sotme.

“Marrëveshja dha rezultat! Ushtarët turq në Menbixh…,” lajmëron e përditshmja turke “Sabah”.

Sipas një njoftimi të Forcave të Armatosura Turke, ushtria turke nisi të dielën patrullimin në Menbixh.

Të njëjtën gjë përsëriti dhe presidenti Erdogan në një aktivitet elektoral.

“Forcat e sigurisë kanë nisur tani mbikëqyrjen në Menbixh,” u shpreh ai.

Mjete të blinduara dhe ushtarë turq kanë hyrë në rrethinat e Menbixhit të shoqëruar, nga sa raportohet, nga një helikopter amerikan.

“Patrullimet e bashkërenduara janë pjesë e angazhimit për siguri dhe stabilitet afatgjatë në Menbixh,” i pohoi Eric Pahon, një zëdhënës i Pentagonit, një tjetër të përditshmeje turke, “Daily Sabah”-ut.

Forcat turke të sigurisë pritet të hyjnë në qendër të Menbixhit. Sipas marrëveshjes me SHBA-në, do të ketë një tërheqje nga qyteti të YPG-së, degës siriane të organizatës terroriste PKK.

Hyrja e forcave turke të sigurisë në Menbixh pason operacionin e suksesshëm në Afrin, një tjetër qytet sirian i pastruar nga grupet terroriste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re