Ekipi i ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, i cili po merr pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit nën rrënojat pas tërmetit shkatërrues që goditi Türkiye-n më 6 shkurt, ndihmoi në nxjerrjen e një fëmije 5-vjeçar nga rrënojat në Kahramanmaraş.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut përmes një njoftimi tha se ekipi i ushtrisë, që është i angazhuar në aktivitetet e kërkimit në terren dhe nxjerrjen e të mbijetuarve të mundshëm në qytetin Kahramanmaraş, pasditen e djeshme asistoi në një operacion të suksesshëm për të shpëtuar një jetë të re njerëzore nga rrënojat.

“Ekipi ynë i ushtrisë, pasi mësoi se nën rrënoja dëgjoheshin zëra, pas 6 orësh nga pastrimi i rrënojave, dëgjoi zërin e një fëmije, pas së cilës së bashku me ekipin turk të kërkimit dhe pas katër orësh angazhim maksimal arritën të nxjerrin Sulejmanin 5-vjeçar nga rrënojat”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, dje për në Türkiye nga Shkupi u nis edhe një ekip shtesë i ushtrisë i përbërë nga 36 anëtarë të Batalionit të Forcave Speciale, të trajnuar për shpëtim dhe kërkim në rrënoja, për të marrë pjesë në operacionin humanitar në zonat më të prekura nga tërmetet katastrofike.

Numri i të vdekurve nga tërmetet e forta që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt është rritur në 18.342, ndërsa numri i të lënduarve në 74.242.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re