Kombet e Bashkuara sot kanë futur ushtrinë e Mianmarit në listën e zezë të grupit të dyshuarve për abuzim seksual në zonën e konfliktit të armatosur.

“Përhapja e gjerë e kërcënimit dhe praktika e abuzimit seksual është bërë strategjia e tyre e terrorizimit, poshtërimit dhe dënimit kolektiv të komunitetit pakicë Rohingya, dhe me qëllim të detyrimit të shpërnguljes dhe për të parandaluar kthimin e tyre”, thuhet në deklaratën e OKB-së.

Më tej theksohet se dhuna e ushtrisë së Mianmarit kundër pakicës muslimane Rohingya është e lidhur me thënien e njohur se nataliteti i lartë i tyre kërcënon ekzistencën e popullatës shumicë budiste.

Një delegacion i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të muajit do të vizitojë Bangladeshin dhe Mianmarin për të vlerësuar situatën aktuale në lidhje me dhunën dhe krizën me të cilën ballafaqohet komuniteti Rohingya. Delegacioni do të përbëhet nga ambasadorët e 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Muslimanët Rohingya të Arakanit për vite janë grupi më i rrezikuar etnik në botë, dhe që nga viti i kaluar po përballen me një valë të re të dhunës në rajon Arakan të Mianmarit.

Nën pretekstin e luftës kundër grupeve militante, ushtria e Mianmarit ka shkatërruar disa qindra fshatra muslimane nga të cilat të paktën 750.000 banorë u detyruan të ikin në Bangladesh.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitet 1970 në Arakan jetonin rreth dy milionë muslimanë, kurse aktualisht ka më pak se 300 mijë në atë rajon.

Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare shpesh kanë paralajmëruar se dhuna ndaj muslimanëve të Arakanit ka të gjitha elementet e spastrimit etnik dhe madje edhe të gjenocidit./AA/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re