Forcat izraelite kanë arrestuar 25 palestinezë në bastisjet brenda natës në të gjithë Bregun Perëndimor të okupuar, bëri të ditur Shoqata e të Burgosurve Palestinezë (PPS).
Midis të arrestuarve janë anëtarë të shquar të lëvizjes Hamas dhe ish-e burgosura Mona Qa’dan.
Duke folur për AA, Mahmoud Qa’dan, vëllai i Monës, tha se forcat izraelite bastisën shtëpinë e motrës së tij në agim në qytetin Arraba dhe e morën atë në paraburgim.
“Mona më parë u arrestua pesë herë dhe u la e lirë në vitin 2016 pas 40 muaj ndalimi në burgjet e okupimit”, tha Mahmoud.
Një burim lokal në El Halil (Hebron), i cili foli në kushte anonimiteti për AA, tha se anëtarët e Hamas-it Mustafa Shawer, Omar al-Qawasmi dhe Anas Rasras ishin midis të arrestuarve në bastisjet.
Shumica e arrestimeve ndodhën në qytetet El Halil, Betlehem, Jenin, Ramallah, Al-Bireh dhe Kuds, theksohet në deklaratën e PPS-së.
Rreth 4.450 palestinezë besohet se mbahen në burgjet izraelite, duke përfshirë 37 gra, rreth 140 të mitur dhe 440 të paraburgosur administrativë, sipas të dhënave zyrtare palestineze.
