Ushtria izraelite synon të burgosë ushtarët që kanë dezertuar nga shërbimi i rregullt ushtarak dhe rezervistët pas përfundimit të luftës që Tel Avivi nisi në Rripin e Gazës më 7 tetor.

“Pas luftës, Prokuroria Ushtarake izraelite synon të ashpërsojë dënimin për dezertorët nga shërbimi i rregullt dhe rezervistët”, njoftoi radio e ushtrisë izraelite, duke shtuar:

“Ata që refuzojnë të përmbushin shërbimin ushtarak do të dënohen me burgim të zgjatur deri në disa muaj, si dhe do t’u ulet grada e tyre ushtarake”.

Radioja e ushtrisë izraelite nuk dha informacion në lidhje me numrin e ushtarëve që refuzuan të shërbenin në ushtri, si dhe arsyet e refuzimit të tyre.

Departamenti i Mbrojtjes Ushtarake lëshoi një deklaratë, e cila u citua në radio, duke u thënë ushtarëve që refuzuan të shërbenin të “kontaktojnë urgjentisht njësitë e tyre përpara se të hyjë në fuqi politika më e ashpër e ndëshkimit”.

“Departamenti i Mbrojtjes Ushtarake ishte në gjendje të bindte ushtrinë izraelite që t’u jepte një shans tjetër atyre që nuk respektonin shërbimin”, tha radio.

Ushtria izraelite njoftoi se kishte thirrur rreth 360 mijë ushtarë rezervistë për të marrë pjesë në luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës.

Shumë ushtarë refuzuan të merrnin pjesë në luftë “për arsye ndërgjegjeje”. Megjithatë, vëzhguesit e lidhin dezertimin e tyre me luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës, e cila mori jetën e dhjetëra ushtarëve, veçanërisht në betejat tokësore që filluan më 27 tetor.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re