Ushtria izraelite ka kryer “shpërthime” në bodrumet e disa ndërtesave në kompleksin e spitalit Al-Shifa, pasi u bastis nga forcat izraelite.

Një burim brenda objektit mjekësor tha se ushtria izraelite është “pala e vetme që qëllon brenda spitalit Al-Shifa dhe rrethinave të tij”.

“Ushtria izraelite po mban dhjetëra njerëz të zhvendosur dhe personel mjekësor në oborrin e spitalit, duke i marrë në pyetje”, tha burimi, duke shpjeguar situatën aktuale brenda objektit të madh shëndetësor të Gazës, i cili ka qenë pothuajse jashtë shërbimit për shkak të bombardimeve të shtuara nga forcat izraelite.

Sipas raportimeve, ushtria izraelite po kryen “kontrolle të gjera në ndërtesat që ka pushtuar”.

“Snajperët e ushtrisë izraelite kanë zënë pozicione në çatinë e disa ndërtesave të larta në spital, duke krijuar vrima në to”, tha i njëjti burim.

Sipas zyrës për media të qeverisë së Gazës, brenda kompleksit mjekësor një staf mjekësor prej rreth 1.500 personash, si dhe 700 pacientë, 39 foshnja të lindura para kohe dhe 7 mijë njerëz të zhvendosur.

Derisa sulmi izraelit në Rripin e Gazës vazhdon në ditën e 40-të me radhë, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze, të paktën 11.320 palestinezë, përfshirë mbi 7.800 gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga 7 tetori kur grupi palestinez Hamas nisi një ofensivë ndërkufitare në Izrael.

Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar që nga muaji i kaluar.

Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re