Ushtria izraelite vrau sot dy palestinezë në Jenin, në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, vetëm disa orë pasi vrau dy të tjerë në qytet të enjten vonë, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA.

Dy palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën ndërsa forcat izraelite bombarduan sheshin kryesor në kampin e refugjatëve Jenin.

Më herët, forcat izraelite vranë dy palestinezë pasi sulmuan kampin, kurse dëshmitarët thanë se pati një shkëmbim zjarri.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur pasi Izraeli filloi sulme ajrore dhe tokësore në Gaza, në përgjigje të ofensivës së befasishme të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas. Numri i palestinezëve të vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar është rritur në të paktën 138, ndërsa më shumë se 2.100 të tjerë janë plagosur.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime për rritjen e dhunës së kolonëve, ndërkohë që zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mathew Miller, ka thënë se ajo “është e papranueshme, duhet të ndalet dhe ata që janë përgjegjës për të duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re