Historiania Eleni Kocaqi e ftuar në “Fax News” ka komentuar deklaratën e “zhurmshme” të Ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yoruk, i cili në ambientet e universitetit të Shkodrës tha se perandoria osmane erdhi për të mbrojtur popullin shqiptar.

Kocaqi tha se shqiptarët janë ata të cilët ndër vite kanë kontribuar duke i zbardhur faqen perandorisë osmane dhe Turqisë. Sipas Eleni Kocaqit kjo deklaratë e ambasadorit nuk ka kontekstin provokues pasi është thënë në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Këto janë deklarata politike sesa historike. Sepse të mbash qëndrime historike duhet të njohësh mirë historinë e asaj kohe dhe të dhënat e arkivit. Ne nuk duhet të ngatërrojmë perandorinë osmane me shtetin turk, sepse perandoria osmane është një identitet tjetër politik, ndërsa shteti turk është një vend modern. Nuk është njësoj nga pikëpamja politike. Ajo që ne shqiptarët kemi bërë për perandorinë osmane është shumë herë më e madhe se ajo që ka bërë perandoria osmane për ne. Sepse ishin shqiptarët që pushtuan pjesë më të madhe të perandorisë osmane, ishin shqiptarët ata që pushtuan Stambollin e sotëm me komandat shqiptar sic është Ballaban Pasha.

Në atë kohë ka pasur sulltanë në atë kohë që kanë bërë krime në Shqipëri, sic ka qenë sulltan Mehmeti duke bërë krime në Peloponez apo edhe në Shqipëri ku janë marrë me mijëra njerëz skllevër. Duhet të kemi shumë kujdes me këto deklarata pasi historia tregon gjëra të tjera.

Ambasadori nuk e besoj se ka qëllim të keq, ideja e tij mbase ka dashur të thotë se kemi miqësi të vjetër. Marrëdhënia me Turqinë është shumë e mirë, vetë shteti turk ka simpati për Shqipërinë, ku miliona shqiptarë jetojnë në Turqi. Kemi shqiptarë të cilët ia kanë zbardhur faqen perandorisë osmane dhe Turqisë, ne kemi një kontribut ne shqiptarët të jashtëzakonshëm.

Ambasadori ka një opinion historik i cili ka të drejtë ta shprehë. Ai e ka shprehur në kuadër të bashkëpunimit dhe nuk duhet të jemi kaq radikal por ta marrim me sportivitet”, tha Kocaqi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re