108-vjetori i krijimit i gjen Forcat e Armatosura (FA) të Shqipërisë në një proces transformimi.

 

Kryeministri Edi Rama shprehu respektin për çdo shqiptar e shqiptare që në këta 108 vjet, ka shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

“… me shprehjen e respektit më të madh, për çdo shqiptar e shqiptare që në këta 108 vjet, ka shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë. Lavdi dëshmorëve”, tha Rama.

FA po reformohen dhe po modernizohen sipas standardeve të NATO-s dhe ka sot trajtim më të mirë financiar e mundësi të reja arsimimi.

Po ashtu, FA shqiptare kontribuojnë për paqen në misione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së.

Forcat e Armatosura po modernizohen me mjete dhe pajisje nga më modernet, si në tokë, në ajër dhe në det.

Kuçova do të jetë baza e vetme e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, ndërsa së shpejti do të vijnë helikopterët “Black Hawk”.

FA janë më të mirëpajisura për t’i bërë ballë çdo situate emergjente, janë mburojë e mbrojtjes dhe e sigurisë për çdo familje shqiptare.

Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka u shpreh se “në 108 vjet Forcat e Armatosura kanë pasur një histori plot drama e suksese, dhimbje e gëzim, ulje e ngritje”.

“Një histori që ndërthuret e bëhet njësh me historinë e Shqipërisë e shqiptarëve. Sot unë ndihem krenare që Forcat e Armatosura (FA) vlerësohen nga shqiptaret si institucioni më i besueshëm e i respektuar, ashtu si ndihem krenare kur partnerët e aleatët tanë vlerësojnë performancën e djemve e vajzave tona me uniformë dhe përparimin e madh që FA kanë bërë. Ka ende shumë punë për të bërë, por është fakt që FA-ja sot është një forcë më moderne, më profesionale, me ushtarakë që arsimohen e stërviten njësoj si kolegët e tyre të NATO-s, ndërkohë që trajtohen sot financiarisht e janë sot të pajisur shumë herë më mirë. Mirënjohje për këdo që ka kontribuar për FA”, tha ajo.

Xhaçka shprehu mirënjohje e krenari për ata djem e vajza që me punën e tyre po e shndërrojnë FA realisht në një forcë të standardeve të NATO-s.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta Ilir Meta me rastin e 108-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë ka shprehur konsideratat më të larta, falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për kontributet, përkushtimin dhe sakrificat në mbrojtje të Atdheut, Sigurisë Kombëtare, por edhe garantimit të lirisë, paqes e stabilitetit në rajon e botë, nën flamurin e NATO-s.

“Edhe ky përvjetor, pas tërmetit tragjik të vitit të kaluar, na gjen në një periudhë të pazakontë dhe tepër të vështirë, të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Koha shtron si domosdoshmëri një solidaritet mbarëkombëtar, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, për të mposhtur këtë armik të përbashkët, që kërcënon çdo ditë shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, shprehet ai.

Po ashtu Meta shprehet se “duke përgëzuar Forcat tona të Armatosura, veçanërisht Njësinë Mjekësore Ushtarake, për vigjilencën, gatishmërinë e përkushtimin në krye të detyrës, në Spitalin e Traumës dhe në çdo repart e strukturë të FA, ju inkurajoj të vijoni në përmbushje të misionit tuaj kushtetues, për të qënë kurdoherë në shërbim të qytetarëve në nevojë.

“Me këtë rast, ju shpreh ngushëllimet e mia të gjithë familjarëve të ushtarakëve, të cilët kanë humbur të dashurit e tyre nga COVID-19, si dhe ju uroj shërim të shpejtë të prekurve nga ky virus. Me sfidat e reja të sigurisë, që parashtron koha, modernizimi i pandalshëm i ushtrisë shqiptare është domosdoshmëri! Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë dhe familjet e tyre. Lavdi Dëshmorëve dhe Heronjve të rënë për Atdhe”, është shprehur presidenti Meta.

***

Nga ana tjetër, Kompania e Dytë e Policisë Ushtarake Shqiptare çertifikohet si plotësisht operacionale për Taskforcën e Përbashkët të Gatishmërisë Shumë të Lartë (Very High Readiness Joint Task Force, VJTF).

Vlerësimi i kompanisë u krye nga një grup oficerësh madhorë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në Bazën Ajrore të Kuçovës u krye faza e dytë e çertifikimit, e cila konsistonte në vlerësimin në terren për detyrat që Policia Ushtarake kryen.

Veprimet operacionale që u testuan kishin të bënin kryesisht me rënien në pritë gjatë shoqërimit të një mjeti të transportit publik, kufizimin e zonës si edhe kryerja e raporteve përkatëse. Ngritjen e pikave të kontrollit dhe menaxhimi i turmave, shoqërimin e personaliteteve të larta, ndërhyrja në banesë.

Trupat tanë do të jenë pjesë e taskforcës që përbëhet nga rreth 30 mijë trupa aleate, të gatshëm për t’u dislokuar brenda 2-3 ditëve, kudo ku NATO ka nevojë.
Kompania e Dytë e Policisë Ushtarake do jetë pjesë e kësaj taskforce për vitin 2021, e cila do të drejtohet nga Turqia.

Për vitin 2020 Taskforca e Përbashkët e Gatishmërisë Shumë të Lartë drejtohet nga Polonia dhe pjesë e saj është Kompania e Dytë e Batalionit Komando të Forcës Tokësore.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re