Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar në Shijak, ku një person ka ushtruar dhunë fizike ndaj një mjeku gjatë orarit të punës.

Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë 49-vjeçarin F. K., banues në Shijak, pasi ka goditur me grusht mjekun A. D., 34 vjeç, në ambientet e godinës së Radiologjisë, në Qendrën Shëndetësore Shijak.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ngjarja ka ndodhur gjatë ushtrimit të detyrës nga mjeku, i cili pas sulmit është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore.

Autori është shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Policisë Shijak dhe më pas është arrestuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re