Nga Hoxhë Alban Gorishti

Vakëfi është një institucion mjaft i rëndësishëm i sistemit islam social ekonomik i cili përgjatë historisë ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në planin arsimor, shëndetësor, social, etj por po ashtu ai shpesh ka qënë objekt i sulmeve të ndryshme dhe uzurpimeve të shpeshta nga regjimet e ndryshme. Në Bosnje Hercegovinën e dikurshme qeveria e atëhershme federale i propozoi parlamentit të federatës një ligj që u njihte përdoruesve të vakëfeve privatizimin e ndërtesave të vakëfit duke propozuar në nenin për rikthim “U hiqet shenjtëria e institucionit të vakëfit”. Ky veprim në kurriz të këtij institucioni kuptohet që për aq sa ishte e mundur asokohe u kundërshtu nga bashkësia Islame e BH. Vakëfi është një veprim i pakthyeshëm i bamirësisë, sipas Ebu Jusufit ai konsiderohet si: Vendosje të objekteve formalisht në “pronësinë” e Allahut. Kështu edhe sot e kësaj dite në vendet arabe njihen vakëfe të cilat datojnë që prej kohës së sahabëve, por po ashtu në Turqi ka vakëfe që datojnë që prej kohës së sulltanëve. Vakëfi (sipas disa dijetarëve) përshkruhet në Kuran me fjalët : Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë” Ali Imran 92, E kështu kur Sahabiu Ebu Talha e dëgjoi këtë ajet dhuroi pjesën e tokës më të dashur për të të quajtur “Bejruha”. Edhe pse në kushtet e legjislacionit të tanishëm nuk ka premisa për ta rregulluar vakëfin ligjërisht duke përforcuar pakthyeshmërinë e tij, gjithsesi në suazat sheriatike të një komuniteti si ai i joni ,mbrojtja dhe përçimi i tij në breza është obligim moral dhe fetar, kështu vakëfi është institucion fetar që nuk trashëgohet, nuk tjetërsohet dhe nuk shitet. Ndaj vakëfi si entitet juridik ka edhe kujdestarët e vet që quhen mutevelinj, administruesi qendror i vakëfit përkatës dhe kajjumi, mirëmbajtës dhe kujdestar i xhamisë, ndërsa kadiu (gjykatësi i përgjithshëm ) është autoriteti i cili kontrollon parregullsitë në lidhje me sistemin juridik dhe gjyqësor nëpërmjet të cilit bëhet e mundur mbikqyrja e gjithë aktivitetit të vakëfeve ndërsa mbi të qëndron emiri-prijësi i përgjithshëm i cili ka autoritet të përgjithshëm juridik. Po ashtu vakëfi (qoftë tokë apo mall) mundet të jepet me qera por kurrsesi nuk mundet të kalojë në pronësi individuale.

Në kohët e fundit komuniteti musliman i shqipërisë i udhëhequr nga një pakicë e organizatës okulte gyleniste kanë filluar të shkelin mbi këtë të drejtë sheriatike (vakëfin) pikërisht për shkak të boshllëkut ligjor që gjendet ky institucion për sa i përket legjislacionit shqiptar. Është e habitshme nga ana tjetër pasi disa autoritete fetare në vend i quajnë këta uzurpues si prijës ndaj të cilëve duhet të bindesh pa i kundërshtuar.

Për këtë Bejhakiu transmeton nga ibn Abasi të ketë thënë se: Nuk ka mbajtje (uzurpim) të pronësisë pas publikimit të sures Nisa”. Pra pasi në të rregullohen të drejtat e administrimit të pasurisë dhe pronësisë në disa ajete të ndryshme që tregojnë cakun dhe të drejtat e asaj që dhurohet, trashëgohet apo administrohet. Kështu duhet thënë se kmsh –ja gyleniste është një ojf me status okult por që nuk është kurrsesi në nivelin e prijësit apo autoritetit të përgjithshëm (el velajetu el ameh) maksimumi ajo mundet të jetë një administruese (muteveli) e pronave të muslimanëve, ndaj ligjërisht apo moralisht nuk ka kurfarë tagri ligjor të tjetërsojë apo të shpronsojë ndonjë prej objekteve që i janë besuar për t’i administruar, ndërsa muftinjtë apo imamët  e kësaj organizate  janë kajjume- mirmbajtës të xhamive dhe aktiviteteve rreth tyre. E nëse ligjërisht duhet të shikojmë se kujt i aplikohet më së miri prijësia e përgjithshme (mutlak) ndoshta do të na duhet ta kthejmë kokën kah fuqia më e lartë ligjvënëse në vend,  qeveria e Republikës së Shqipërisë, pasi ligjërisht ky është institucioni që jep certifikata pronësie , apo  leje ndërtimi apo prishjeje. Kështu në thelb “muteveliu” nuk ka të drejta absolute mbi vakëfin (komunitetin musliman të shqipërisë) por thjesht të drejta menaxheriale të kushtëzuara nga një statut të cilin krerët  e organizatës okulte gyleniste e kanë shkelur shumë shpesh në  funksion të interesave të tyre të ngushta, madje shpesh edhe në dëm të interesave të muslimanëve shqiptarë.

Në mënyra të ndryshme njerëzit kanë hequr dorë nga ndonjë e mirë materiale dhe kanë bërë sakrificë materiale për qëllime të mira dhe në dobi të përgjithshme. Kjo nga shkaku se ata ishin të stimuluar me porosinë profetike, ku vakëfi përmendet si njëra prej tri gjërave që sjellin të mira edhe pas vdekjes. Përkatësisht, transmetohet se Pejgamberi – alejhi selam- ka thënë: “Tri gjëra më të mira që njeriu i lë pas tij (pas vdekjes së tij) janë: fëmija i cili lutet për të, lëmosha e cila rrjedh, e shpërblimi i saj arrin tek ai dhe dituria nga e cila kanë dobi të tjerët pas tij.”. Ndërsa sot vijnë dy kategori njerëzish, e para shërbëtorët e organizatave okulte të cilët ulin kokën para ҫdo padrejtësie që I bëhet islamit dhe muslimanëve në Shqipëri dhe të dytët janë ata që e kanë implementuar këtë padrejtësi duke nëpërkëmbur porosinë dhe sakrificën që bënë të parët tanë. Nëse ata që i thonë “prijës” disa uzurpatorve me statut shoqate e bëjnë të duket utopik hadithe të tilla si “Xhihadi më i mirë është fjala e drejtë tek prijësi i  padrejtë” nga ana tjetër utopike është tërë ekzistenca e  disa njerëzve që pa kurfarë tagri apo autoriteti ligjor justifikuan veprime të ndryshme antistatutore në dobi të interesave okulte . Statusi i tyre ligjor më së tepërmi është  ai i një administratori të rëndomtë të një prone apo pasurie , në rastin konkret ajo pronë është komuniteti musliman i shqipërisë i cili është pasuria më me vlerë e muslimanëve të shqipërisë dhe kurrsesi  vetëm e një grupi i cili nuk e kalon 1%-shin. Sa shumë kemi nevojë për filozofi funksionale  por  nuk mundemi të  hedhim sytë as nga lindja e as nga perëndimi (Bekare ajeti 177) pasi kemi më të madhen e tërë filozofive , fenë. El Balkhi  thoshte: Feja është më e madhja e filozofive; prandaj, njeriu nuk mund të jetë  filozof derisa të bëhet adhurues. Ndërsa kura (ilaҫi) më e madhe është dija”. Kështu sot kemi njerëz (gylenistët dhe ata që i justifikojnë) që kanë nevojë të bëhen adhurues ndërsa të tjerë (ata që mendojnë akoma se gylenistët janë prijësit  e vërtetë) që kanë nevojë të kurohen me ilaҫin më të madh. Ndërsa sot muslimanët e thjeshtë ndihen “jetimë” dhe të papërfaqësuar, ndërsa të kenë kujdes ata që e shpërdorojnë pasurinë e jetimit pasi Allahu thotë: Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues” Nisa 10. Ndërsa në suren Bekare (ajeti 177) Allahu bamirësinë e vërtetë e quan  atë të njerëzve që :… i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e në fund të ajetit për këta bamirës thotë : Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun”.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re