Ndonëse janë ndër zonat me prodhimin më cilësor të vajit të ullirit në vend, fshatrat e Mallakastrës po përballen me sasi të mëdha stoku në depot e tyre.

Sezoni i kaluar solli prodhim të bollshëm dhe cilësi të lartë, por mungesa e tregut e ka bërë të vështirë shitjen, duke i vendosur fermerët në vështirësi ekonomike.

Sipas kultivuesve, vaji i ullirit mbetet burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje. Ata kërkojnë ngritjen e një pikë grumbullimi dhe mbështetje nga shteti për krijimin e një marke, si një hap i domosdoshëm për të hapur rrugën e eksportit.

Fermerët thonë se kostot e larta, nga mirëmbajtja e ullishteve deri te përpunimi në fabrikë, e bëjnë të pamundur shitjen e vajit me çmim të ulët, pasi rrezikojnë të dalin me humbje.

Kultivuesit e Mallakastrës paralajmërojnë se, nëse situata nuk ndryshon, do të detyrohen të heqin dorë nga kultivimi i ullirit, një kulturë që prej vitesh ka qenë shtyllë e ekonomisë lokale. Sipërfaqja e mbjellë me ullinj në bashkinë e Mallakastres llogaritet rreth 7,000 deri ne 8,000 hektarë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re