Nga Blendi Gashi

LDK e Isa Mustafës nuk ka  ditë pa hedhur akuza në drejtim të Hashim Thaçit edhe pse vet e bëri president.

Në mungesë të kryetarit Isa Mustafa, i cili për shkak të problemeve shëndetësore vazhdon të kurohet në shtëpi dhe të mos jetë aktiv në skenën politike, është një prej njerëzve të tij më të afërt, kryetari i grupit parlamentar, Avdullah Hoti, ai i cili po “bombardon” Thaçin me akuza të ndryshme.

Përveç që e quan të padenjë për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, Hoti akuzon presidentin se ka vënë në dorë krejt shërbimit diplomatik në funksion të përmirësimit të imazhit të tij dhe shkon më tej ku aludon se Thaçi e ka “kapur” edhe televizionit publik (RTK).

“Politika e jashtme e Kosovës ka kaluar në defanzivë dhe është reduktuar në aktivitete për përmirësimin e imazhit të Thaçit. Krejt shërbimi diplomatik i Kosovës është vënë në funksion të përmirësimit të imazhit të tij personal. Televizioni publik RTK veç sa nuk ka hapur një kanal të veçantë për aktivitetet e Thaçit. Disa vende kanë dhënë shenja se do ta ri-shqyrtojnë njohjen e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për njohje të reja. Sukses sot i diplomacisë kosovare konsiderohet parandalimi i tërheqjeve të njohjeve”, thotë Hoti.

Ky vrer i Hotit ndaj Thaçit mund të kuptohet nëse kihet parasysh se tani është opozitar, por assesi nëse kujtohet se pikërisht partia e tij vite më parë e uli në karrigen e presidentit, ish-kreun e PDK-së .

Por duke parë se LDK ngadalë po ec drejt zgjedhjeve brendapartiake, këto deklarata të Hotit mund të shihen si një garë brenda vet partisë se kush po e kritikon më shumë Thaçin, me shpresën që të përfitojë vota tek anëtarësia, në rast të një kandidimi të mundshëm për të marrë kreun e partisë vitin e ardhshëm.

Nuk duhet harruar se një strategji të ngjashme e përdori edhe Isa Mustafa, ku me akuzat e çdoditshme ndaj SHIK-ut të Kadri Veselit fitoi zemrat e anëtarësisë së partisë, për çka rrëzoi nga pozita e kreut të partisë Fatmir Sejdiun edhe pse mohoi kandidimin deri pak orë para mbajtjes së Kuvendit zgjedhor.

Pavarësisht nëse Hoti po e ndjek të njëjtën rrugë, ai duhet ta ketë të qartë se partia e tij është fajtorja më e madhe për siç thonë “kapjen” që Thaçi po ja bën jo vetëm diplomacisë e mediave të caktuara dhe se ai nuk është i vetmi që bën kritika ndaj Thaçit, pasi këtë e bën më shumë bashkëpartiakja e tij Vjosa Osmani.

Kujtojmë se Hoti në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte kandidat i partisë për kryeministër të vendit, dhe veç nëse vendos t’i hyjë garës për kreun e partisë kundërshtarë pritet t’i ketë: Lutfi Hazirin, Gazmend Muhaxherin, Vjosa Osmanin dhe nuk përjashtohet mundësia Agim Veliun.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re