Skip to content

“Vajza e djali u vonuan, kishin bërë aksident” Eliesa nga Kosova, sot shëndoshë e mirë falë bamirësisë së shqiptarëve

Screenshot 39 1

Familja Rrahimi nga Kosova u përball me një sprovë të vështirë. Vajza e tyre Eliesa, mori lëndime serioze në një aksident rrugor pak muaj më parë.

“Ishte data 3 mars, dola të shëtis me vëllaun. Kur erdhi koha për t’u kthyer në shtëpi, papritmas më ndodhi aksident. Kam parë një makinë, kur jam përplas e jam hedhur në tokë. Kur pashë se vëllai merrte frymë, atëerë jam rehatuar. Atë e prunë me një makinë në spital. Atje kam parë mamin e babin.”-tregoi Eliesa.

Screenshot 41 1

“Para lajmit të aksidentit, të dy fëmijët më telefonuan për të më thënë se po vinin. Mirëpo, nuk ndodhi. Pas 15 minutash, mora lajmin se fëmijët janë aksidentuar. Keq u ndjeva shumë. Posa shkuam tek vendi i ngjarjes, si e kam parë aksidentin, e kam dit që ka me qenë i rëndë. Kam menduar se njëri ndoshta, nuk mundet me qenë gjallë… derisa i kam parë vetë më sy.

Kur shkuam në spital, goca ishte krejt në gips. Djalin e gjeta më vonë, ai ishte duke lëvizur dhe kishte hallin e motrës. Mjekët kishin hall vajzën, sepse ajo ishte e ulur para në makinë dhe kishte lënduar keq këmbën.

Në operimin e dytë, gjendja ishte më e rëndë, kishte marrë një infeksion shumë të madh. Mjekët na thanë që duhej ta trajtonim jashtë shtetit. Në Turqi duhej një shumë e madhe parash, si t’ja bënim, ishte 25 mijë euro dhe vajza ishte dhe me rrezik për jetën. Isha pa shpresë, por ndodhi një mrekulli.”-tregoi nëna e Eliesës.

“Shqiptarët për Shqiptarët” dhe Fondacioni Firdeus i dolën në krah familjes nga Kosova. Brenda dy ditëve shuma e nevojshme për kurimin e Eliesës u arrit, ndërsa ajo së bashku me të ëmën u nisën për kurim drejt Turqisë. Fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë.

 “Nëse nuk do të shkoja jashtë vendit, do ta rrezikoja jetën. Falë gjithë shqiptarëve, për dy ditë unë u nisa në Turqi dhe shpëtova. Jam pranë familjes dhe të afërmve të mi dhe kjo falë shqiptarëve.”-tregon vajza nga Kosova.

 “Më dukej si ëndërr. Edhe kur mbërritëm dhe vajza u operua, akoma nuk më besohej. Vajza ime sot është shëndoshë e mirë. Unë nga zemra i falenderoj të gjithë, Zoti ju befoktë”-tregoi nëna.

“Dua të falenderoj të gjithë shqiptarët që bënë një mrekulli për mua.”-tha Eliesa.