Gjatë gjithë fëmijërisë së saj, Delphine Boel besonte se burri i nënës së saj aristokrate, industrialisti i pasur Jonquier Jacques Boel, ishte babai i saj. Kur mbushi 17 vjeç u përball me të vërtetën. Ajo mësoi se ai është fëmija i paligjshëm i mbretit Albert II të Belgjikës me të cilin nëna e saj kishte një lidhje prej 18 vitesh dhe ndërsa monarku ishte i martuar me mbretëreshën Paola, nënë e tre fëmijëve të tij.

Mbreti nuk ishte i panjohur për të renë, pasi deri në moshën 16-vjeçare monarku belg i përkiste mjedisit të ngushtë miqësor të familjes. Por një biograf i mbretit zbuloi të vërtetën në një libër që shkroi për mbretëreshën Paola në fund të viteve 1990. Një e vërtetë që fillimisht nuk e shqetësoi Delphine-n derisa Alberti i tha me forcë se ajo nuk ishte vajza e tij. Që nga viti 1999, mediat filluan të raportojnë se skulptorja belge Delphine Boel është një fëmijë i paligjshëm i mbretit Albert.

Në qershor të vitit 2013, Delphine nisi një betejë ligjore për të provuar se ajo ishte vajza e paligjshme e mbretit dhe kërkoi një test të ADN-së, të cilin monarku e refuzoi me kokëfortësi. Por, pas shtatë vitesh dhe pasi Gjykata e Apelit e Brukselit e detyroi Albertin t’i nënshtrohej testit të atësisë në maj 2019, vetë belgu gjakblu në janar 2020 njoftoi në një konferencë shtypi se Delphine Boel është fëmija i tij biologjik. Që nga korriku 2013, Alberti kishte hequr dorë nga froni në favor të djalit të tij të madh Philip, duke përmendur probleme shëndetësore.

Pas pranimit publik të ish-mbretit, Delphine fitoi titullin e princeshës, mori emrin e familjes mbretërore (Delphine de Saxe-Coburg) dhe fitoi të drejta për pasurinë e Albertit, por jo sponsorizimin shtetëror, siç kanë tre fëmijët e gjakut blu belg, Mbreti Philippe, Princi Laurent dhe Princesha Astrid.

Gjithashtu, dy fëmijëve të Delphine-s, Josephine 19-vjeçare dhe Oscar-it 14-vjeçar, iu dhanë përkatësisht titujt princeshë dhe princ. Më 15 tetor 2020, Princesha Delphine e Belgjikës takoi për herë të parë gjysmëvëllain e saj Mbretin Philippe në Kështjellën Laeken, rezidenca zyrtare e monarkut belg dhe familjes së tij.

Intervista e parë e Delphine pasi u njoh nga Alberti në 2020

54-vjeçarja Delphine dha intervistën e saj të parë si princeshë këtë javë për revistën britanike Tatler, “biblën” e aristokracisë angleze. Princesha Delphine nuk hezitoi të tregojë se si u ndje kur babai i saj biologjik u përpoq të ndërpriste çdo kontakt me të pasi u publikua libri që tregon të vërtetën. “Unë kam qenë e befasuar. Më kishte trajtuar si një copë mish qenve”.

Në vitin 2013, kur babai i saj abdikoi, Delphine vendosi që duhej të merrte masa. “Nuk të dua dhe kam ndërmend të luftoj për jetën time. Tani jemi unë dhe fëmijët e mi. E ardhmja jonë. Jo më gënjeshtra. Kjo histori duhet të dalë në dritë”, tha princesha e re belge për vendimin e saj për të kërkuar testin e atësisë nga Alberti dhe për ta sjellë para drejtësisë.

Siç pretendon ajo tani, marrëdhënia e saj me të atin dhe gjysmëvëllezërit është normalizuar. Princesha belge përshkruan në Tatler takimin e parë me ish-mbretin Albert, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit të Brukselit, e cila e shpall atë fëmijën e tij legjitim.

“Nuk kishte dyshim se ky ishte babai im. Kur isha pranë tij, e ndjeva. Ishte sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Ishte vërtet e çuditshme. Ai është një burrë shumë i qetë dhe kaq interesant”. Delphine foli edhe për shtypin, i cili ndër vite u mor me skandalin për vajzën jashtëmartesore të mbretit, i cili krijoi presion mbi të. Sipas saj, tani shtypi e ka pranuar. “Ata më gjejnë të sinqertë dhe bujare me bamirësitë e mia. Mendoj se më krahasojnë me Princeshën Diana sepse më shohin si një princeshë të zemrës”, tha Princesha Delphine për Tatler.

Princesha Delphine e Belgjikës është ende duke punuar si skulptore dhe në shtator po përgatit ekspozitën e saj të re me titull: “Ajo që do të vijë është më e mirë se ajo që ishte më parë”. Pasi u njoh zyrtarisht si fëmija biologjik i Albertit, Princesha Delphine tani shfaqet në ngjarjet e pallatit së bashku me pjesën tjetër të familjes mbretërore.

Më 21 korrik, festën kombëtare të Belgjikës, Delphine u shfaq në festimet zyrtare me bashkëshortin e saj amerikan James O’Hare së bashku me gjysmë-vëllezërit e saj Princ Laurent dhe Princeshë Astrid. Zgjedhja e veshjes së saj për këtë ditë nuk kaloi pa u vënë re, pasi ajo kishte veshur një fustan të kuq me një pëllumb të bardhë në fund, simbol i paqes, duke treguar kështu se marrëdhënia e saj tashmë me familjen mbretërore të Belgjikës është “paqësore”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re