Vajza palestineze 11-vjeçare Rafif Ebu Dayir, e cila humbi jetën në sulmet që Izraeli ndërmori në Rripin e Gazës nën bllokadë, kishte shtuar edhe flamurin turk në vizatimin e saj të fundit dhe i cili ka mbetur përgjysmë.

Në sulmet që Izraeli ka kryer në Gaza kanë humbur jetën 254 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra. Një prej fëmijëve të pafajshëm që u shënjestruan në bombardimet e vdekjeprurëse është edhe palestinezja 11-vjeçare, Rafif.

Rafif dhe familja e saj u tronditën nga sulmi i kryer në një qendër biznesi pranë tyre derisa ato ndodheshin në kopshtin e shtëpisë duke ngrënë drekë më 17 maj.

Copëzat e shrapnelit që u shpërndanë nga bomba i morën jetën vajzës Rafif dhe xhaxhait të saj, Ziyad Ebu Dayir.

Nga Rafif e cila ishte fëmija më i dashur në mesin e familjes Dayir me 9 fëmijë, krahas vizatimeve dhe lapsave kanë mbetur disa fotografi të shkrepura në ditët e lumtura.

Vizatimi i saj mbeti përgjysmë

Në vizatimin e fundit dhe që mbeti përgjysmë për shkak të vdekjes së saj, Rafif kishte imagjinuar që ndërtesa përballë shtëpisë së tyre ishte shembur pjesërisht në sulmet izraelite para se ajo të goditej.

Rafif e cila sipas ndjenjës së saj vizatoi sulmin që i shkaktoi vdekjen, në anë të ndërtesës së shembur pjesërisht shtoi edhe flamurin e Turqisë krahas atyre të disa vendeve arabe.

Edhe pse kanë kaluar ditë nga sulmi që shkëputi nga jeta Rafif dhe xhaxhain e saj, në shtëpinë e familjes Dayir shenjat dhe tmerri janë të freskëta sikur sot.

Sofra e ngrënies e mbetur përgjysmë në kopshtin e shtëpisë, zbukurimet e Ramazanit të shpërndara përreth me efektin e shpërthimit paraqet para syve tmerrin që kanë përjetuar familjet palestineze në Gaza nga sulmet izraelite.

Mjeti i parkuar në hyrje të shtëpisë dhe i cili është shndërruar në rrënojë nga shpërthimi vërteton ashpërsinë e sulmit.

Humbi jetën një javë para ditëlindjes

Halid Ebu Dayir, xhaxhai i vajzës Rafif në një deklaratë për (AA) tha se mbesa e tij humbi jetën 7 ditë përpara ditëlindjes së saj.

Ai tha se Rafif në mesin e 9 fëmijëve ishte fëmija më e dashur nga babai Murshit dhe nëna Maha. Xhaxhai Ebu Dayir tha se: “Rafif ishte një vajzë shumë e bukur. Ishte e preferuara e familjes. Ajo ishte ende 11-vjeç. Një fëmijë shumë i ngrohtë, shumë e ëmbël. Babait të saj ajo i thoshte se dëshironte të bëhej mjeke dhe të shëronte fëmijët. Por, ëndrra e saj nuk mundi të realizohej”.

“Ne kemi humbur një fëmijë shumë të mirë. Prej rreth dy javësh jemi të shokuar. Babai i saj nuk mund të flasë, nuk mund të shikojë askënd, në të njëjtën situatë është edhe nëna e saj. Gjatë gjithë ditës ulen dhe qajnë. Kemi humbur një fëmijë, nuk di çfarë të flasim, çfarë të bëjmë”, tha Ebu Dayir i cili shtoi se nga sulmi kanë kaluar dy javë dhe se nëna dhe babai i saj ende nuk mund të durojnë dhe të bisedojnë me dikë për shkak të dhimbjes për fëmijën e tyre.

“Rafif i pëlqente më shumë të vizatonte”, thotë Ebu Dayir, duke theksuar se “Kur u martirizua u përjetua një situatë e çuditshme. Rafif vizatoi këtë ndërtesë nga ku shpërthyen copëzat e shrapnelit që u goditën dhe e cila shkaktoi martirizimin e saj dhe të xhaxhait të saj. Ajo vizatoi ndërtesën pikërisht rreth një orë më parë para se të qëllohej”.

Ebu Dayir informoi se Izraeli më 15 maj bombardoi një zonë tjetër në bulevardin Vahdet në të cilën ndodhej shtëpia e vëllait dhe se në këtë sulm humbën jetën 43 persona.

“Dy prej fëmijëve në mesin e këtyre dëshmorëve ishin shokë/shoqe klase të Rafif. Për këtë arsye Rafif ishte shumë e mërzitur dhe qante. Pasi vëllai im Ziyad u strehua në shtëpinë e tyre, Rafif e mërzitur ulet dhe vizaton këtë ndërtesë. Tashmë ne nuk e dimë se çfarë u shfaq në mendjen e saj, po ajo e vizatoi këtë ndërtesë me mangësi nga pjesa e poshtme ose si e goditur. Nuk mund ta dimë, ndoshta e ka ditur që kjo ndërtesë do të goditej”, tha Ebu Dayir.

“Izraeli nuk lejoi të përfundojë imagjinatën e saj”

Pasi vuri në dukje se piktura e vizatuar nga mbesa e tij ka mbetur përgjysmë për shkak të sulmit të Izraelit, Abu Dayir tha: “Rafif në të njëjtën mënyrë në këtë vizatim ka përfshirë flamurin turk dhe të disa vendeve arabe. Të gjithë si familje e duam shumë Turqinë. Në vizatim janë edhe flamujt e vendeve si Jordania, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të vendeve të tjera. Ndërsa disa flamuj kanë mbetur përgjysmë. Në atë moment nëna e saj i thotë ‘Eja bijë ha bukë dhe e përfundon më pas vizatimin‘. Por, Izraeli duke vendosur në objektiv ndërtesën pranë tyre nuk lejoi që Rafif të përfundojë imagjinatën e saj”.

Ebu Dayir rikujtoi se në sulmet izraelite kanë humbur jetën 66 fëmijë palestinezë. “Për çfarë krimi janë vrarë këta fëmijë? Unë pyes ‘shtetin izraelit‘ po e pyes këtë shtet i cili pretendon se mbron të drejtat e tij. Ti i ke vrarë këta fëmijë. A ndodheshin këta fëmijë në mesin e objektivave që t’i kishe njoftuar se do të godisje? E pyes ‘shtetin e Izraelit‘ përse i ke vrarë këta 66 fëmijë në mesin e të cilëve është edhe Rafif? Vetëm kësaj t’i japë përgjigje. Përse i vrau këto ‘copëza të njoma‘ që ne i kemi rritur?”, tha ai.