Skip to content

Vajzat e famshme shqiptare që rigjetën dashurinë pas divorceve

Kur je personazh i njohur publik, sidomos kur vepron në një vend të
vogël si Shqipëria është shumë e vështirë që gjërat të kalojnë pa u vënë
re. Gjithçka ka të bëje me jetën profesionale, por sidomos me atë
private përbën gjithnjë kuriozitet për fansat dhe admiruesit e shumtë, e
veçanërisht për shtypin rozë që i ka ato protagoniste absolute. Po
flasim për disa nga vajzat më të njohura të ekranit shqiptar, siç janë
moderatorja e Top Channel Arbana Osmani, modelja Aurela Hoxha, sopranoja
Inva Mula apo prezantuesja Bora Zemani. Këto janë vetëm disa nga vajzat
e njohura shqiptare që së fundmi kanë bërë bujë jo vetëm me angazhimet
dhe projektet e momentit, por sidomos me çështjet e zemrës. Pas
divorceve të tyre të bujshme, ato kanë rigjetur dashuritë e mëdha të
zemrës tek partnerët që u kanë risjellë emocionet dhe buzëqeshjet. Për
momentin, janë historitë më të komentuara rozë dhe në këto ditë të
nxehta vere ku shumëkush është duke u relaksuar buzë detit diku në
“arratistjet” e ëmbla të këtij sezoni, të tilla histori grishëse lexohen
me një frymë…

Arbana Osmani Prezantuesja
e njohur dhe ndër më të dashurat për publikun shqiptar, zyrtarisht i ka
dhënë fund historisë 16-vjeçare të dashurisë me ish-bashkëshortin, me
të cilin ajo ka edhe një djalë, Jon. Ndonëse, Arbana Osmani nuk ka folur
kurrë për jetën e saj private, as për ndarjen, e as për dashurinë e
momentit që mban emrin e Eduart Grishajt, djaloshit simpatik, që i ka
rrëmbyer zemrën, ata të dy janë çifti i momentit dhe duken shumë të
lumtur bashkë. Romanca e re e Arbanës dukshëm është një nga më të
komentuarat, por përtej lajmeve dhe vëmendjes mediatike, ata po e
shijojnë maksimalisht këtë lidhje mes tyre.

Bora Zemani Janë
treshja më e përfolur e momentit, jo vetëm për historitë e dashurisë,
por sidomos për angazhimin e ri në ekran. Emisioni që Bora Zemani ka
nisur në “Vizion Plus”, bashkë me dy vëllezërit e famshëm Romeo e Donald
Veshaj, i bën ata gjithnjë e më të dashur për publikun. Tashmë, nuk
është më një sekret. Bora Zemani është divorcuar nga Dj i njohur Vin
Veli me të cilin ka edhe një djalë dhe po jeton një romancë të re
dashurie me Donald Veshajn. Ata vetë zyrtarisht nuk janë shprehur për
lidhjen e tyre të re, por për momentin është një nga dashuritë më të
komentuara edhe në publik.

Aurela HoxhaModelja
dhe sipërmarrësja e njohur, ndonëse prej vitesh është zhvendosur për të
jetuar në Spanjë, sërish është një nga protagonistet e shtypit rozë në
vend. Aurela Hoxha, është treguar shpesh diskrete në raport me çështjen e
ndjenjave, ama për ndarjen nga ish-bashkëshorti Adi, me të cilin ajo
ishte lidhur shumë e vogël, ka qenë një nga gjërat për të cilat ajo
është shprehur, ndonëse pa shumë bujë. Pavarësisht kësaj, Aurela prej
disa kohësh po jeton një super romancë dashurie me njeriun që i ka
“vjedhur” zemrën, e për të cilin thotë se është shumë e lumtur që është
pjesë e jetës së saj.

Inva MulaSopranoja
shqiptare me famë botërore, ka një histori jete private që e mban larg
vëmendjes mediatike, por kur i jepet rasti në studio të ndryshme
televizive, ndonëse me nota të kufizuara Inva Mula shprehet për detaje
nga jeta e saj. E divorcuar në vitin 2018-të nga kompozitori Pirro Çako,
me të cilin ajo ka edhe një djalë Anthonyn, Inva ka krijuar prej disa
vitesh familjen e saj të re me biznesmenin Hetem Ramadani me të cilin
ajo ka edhe një vajzë të cilës i ka vendosur emrin Nina.