Dega e inxhinierisë elektrike po preferohet gjithnjë e më shumë nga vajzat. I tillë është rasti i 22 vjeçares Ornela Meça.

 

Ajo ka zgjedhur të sfidojë veten, por edhe të tjerët me këtë program që dominohet nga djemtë.

 

ORNELA MEÇA

 

STUDENTE NË INXHINIERINË ELEKTRIKE

 

Kam pasur pëlqim gjithmonë për degët inxhinierike dhe vendosa ta zgjedh. Kur vendosa ta zgjedh këtë degë më thanë pse dhe si. Ka qenë pak e vështirë se vinim nga gjimnazi dhe këtu përballesh me paragjykimin se është vetëm për djemtë. Gjithsesi, dega përfshin robotikën dhe kjo më ka pëlqyer.

 

Edhe studente të tjera shprehen se zgjedhja e tyre është në kundërshtim me dëshirën e familjarëve, por në përputhje me synimet profesionale. Për fat të mirë, ato shtojnë se tashmë lodhja fizike reduktohet ndjeshëm falë evoluimit teknologjik.

 

ERIKA LULE

 

STUDENTE NË INXHINIERINË ELEKTRIKE

 

Unë kam dashur gjithmonë që të vazhdoja një degë të inxhinierisë dhe në momentin kur duhet të zgjidhja vendosa të dal kundër dëshirës së familjarëve, e në veçanti të babit.

 

XHESIKA HAMZAJ

 

STUDENTE NË INXHINIERINË ELEKTRIKE

 

Arsyeja që kam zgjedhur këtë degë që nga viti i parë dhe deri më tani është se është një degë e re, innovative. Të gjithë mendojnë se është degë më shumë për djemtë. Duket që ishte shumë premtuese dhe sfiduese,  pse ta mohojmë.

 

Për dekanin e inxhinierisë elektrike, rritja e interesit të vajzave në këtë degë lidhet me kërkesat e tregut të punës. Ai tregon se rezultatet e tyre janë më të kënaqshme krahasuar me djemtë.

 

PROF. ASOC ASTRIT BARDHI

 

DEKAN NË INXHINIERINË ELEKTRIKE, UPT

 

Një nga arsyet pse studentët e zgjedhin degën e inxhinierisë elektrike është se lidhet me kërkesat e tregut të punës. Deri tani janë ndërtuar dhjetëra hidrocentrale me kapacitete të mëdha. Kalueshmëria është më e lartë te vajzat, madje ka dhe ekselentë.

 

Vetëm në këtë vit akademik, 30% e studentëve të degës “Inxhinieri elektrike” janë vajza, shifër kjo që po ndjek një trend rritës nga viti në vit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re