Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka zhvilluar ditën e sotme intervistën me dy nga kandidatët e radhës për në Gjykatën Kushtetuese. Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo janë intervistuar prej anëtarëve të KED-SË, të cilët kanë bërë pikëzimin dhe renditjen e tyre, listë kjo e cila do t’i kalojë ditën e nesërme Presidentit Ilir Meta.
Njoftimi i plotë i KED: Kandidatët Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo janë paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e tyre në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese. Pas përfundimit të intervistimit të kandidatëve, KED vazhdoi me pikëzimin dhe renditjen e tyre.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, rishpallur në datën 27.09.2019 dhe rishpallur në datën 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të vijojë, ditën e mërkurë, datë 23.12.2020, me miratimin e raportit përkatës mbi listën përfundimtare të renditjes, i cili do t’i dërgohet më pas organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
/faxweb
