Mjekët kanë theksuar rëndësinë e vaksinimit kundër Covid për gratë shtatzëna pasi një studim i madh zbuloi se vaksinat ishin jo vetëm të sigurta, por ulnin rrezikun e humbjes së foshnjes gjatë shtatzënisë me 15%.

Studiuesit në St George’s, Universitetin e Londrës dhe Kolegjin Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve analizuan 23 studime dhe prova të publikuara, ku përfshiheshin 117,552 gra shtatzëna të vaksinuara kundër Covid, për të vlerësuar sigurinë e vaksinave.

Shumica dërrmuese e grave morën vaksinat Pfizer ose Moderna, të cilat siguruan një mbrojtje prej 89.5% kundër infektimit me Covid, shtatë ditë pas marrjes së dozës së dytë. Nuk kishte asnjë provë për rrezik të shtuar për abort, lindje të parakohshme apo për komplikime të tjera të shtatzënisë.

“Ne donim të verifikonim nëse vaksinimi ishte i sigurt apo jo për gratë shtatzëna,” tha Asma Khalil, profesore e obstetrikës në spitalin St George’s në Londër. “Është i sigurt, por ajo që është befasuese, është një zbulim pozitiv që ka pasur një reduktim të rrezikut për të humbur foshnjen gjatë shtatzënisë.”

“Deri më tani, shumica e të dhënave për vaksinimin gjatë shtatzënisë kanë qenë për mbrojtjen e vetë gruas shtatzënë nga Covid. Tani, kemi prova që vaksinat mbrojnë edhe foshnjën”, shtoi ajo. Rezultatet janë publikuar në Nature Communications.

Pothuajse të gjitha gratë shtatzëna të shtruara në spitalet e Mbretërisë së Bashkuar për trajtimin e Covid-it janë të pavaksinuara. Dhe, megjithëse marrja e vaksinave nga gratë shtatzëna u rrit nga 23% në muajin gusht në 54% në fund të vitit të kaluar, mjekët besojnë se mijëra gra të tjera janë ende të pavaksinuara.

Në dhjetor, organi mbikëqyrës për vaksinat i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin, i futi gratë shtatzëna në listën e grupeve prioritare për vaksinimin, pasi studimet zbuluan se gratë kishin më shumë gjasa të sëmureshin rëndë nëse infektoheshin me Covid gjatë shtatzënisë.

Infektimi asociohet gjithashtu me një rrezik më të lartë për humbjen e foshnjes gjatë shtatzënisë apo për lindje të parakohshme. Me sa duket, vaksinat zvogëlojnë rrezikun e humbjes së foshnjes gjatë shtatzënisë, duke ofruar mbrojtje ndaj sëmundjes së rëndë. Studimi arriti të zbulonte se vaksinat reduktojnë gjithashtu edhe lindjet e parakohshme.

“Mënyra më e mirë për të mbrojtur gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre është vaksinimi kundër Covid,” tha Khalil. “Edhe nëse një grua shtatzënë mendon se do të jetë mirë nëse sëmuret me Covid, se nuk do ta kalojë rëndë sëmundjen, vaksina përbën gjithsesi një avantazh të mundshëm për foshnjën.”

Edward Morris, presidenti i Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve, tha se studimi ofronte një siguri shtesë që vaksinimi kundër Covid ishte i sigurt gjatë shtatzënisë.

“Ne e dimë se gratë kanë hezituar për ta bërë vaksinën, për shkak të shqetësimeve mbi efektin që ajo mund të kishte te fëmija. Tani kemi prova të forta për të treguar se vaksina nuk rrit rrezikun e rezultateve negative dhe është mënyra më e mirë për të mbrojtur si gratë, ashtu edhe foshnjat e tyre.”

“Ne do t’u rekomandonim të gjitha grave shtatzëna që të marrin vaksinën kundër Covid-19 dhe dozën përforcuese. Covid-19 vazhdon të jetë i përhapur dhe, nëse infektoheni me virusin gjatë shtatzënisë tuaj, atëherë jeni në një rrezik më të lartë për t’u sëmurë rëndë.”/ Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re