Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës për situatën e reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin tonë duke i ironizuar se “ende nuk është gjetur formula e vaksinës së dëshpërimit”.

Në fjalën e tij në Konferencën Ndërministrore për Emergjencave Civile, Rama tha se kanë gati të gjitha nivelet e gatishmërisë dhe absolutisht nën kontroll. Kryeministri u ndal tek situata pranë liqenit të Shkodrës duke thën se qëndron si “hudhër” për të mos u marrë mësysh e gjithë Shqipëria.

Edi Rama: Akuzave politike nuk kemi çfarë i bëjmë. Dhe Covidit iu gjet vaksina e imunizimit, të cilën shpresoj që ta fillojmë ta injektojmë në vendin tonë duke nisur nga mjekët dhe infermierët para afatit që kemi deklaruar, ndërsa vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula, kështu që për shkak të dëshpërimit, ata për fat të keq kapen pas çdo mundësie iluzore dhe natyrisht ndaj çdo fatkeqësie natyrore për të bërë politikë.

Ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë duke bërë më të mirën si në këtë moment. Ne kemi një protokoll standard për emergjencat tona civile, kemi protokolle standarde për nivelet e gatishmërisë, për ngritjen e strukturave në territore. Të gjitha këto janë zbatuar, situata natyrisht nuk ka si të jetë e pëlqyeshme në ato zona ku reshjet kanë qenë shumë intensive, por është fakt që falë të gjithë punës së bërë ditë për ditë dhe vit pas viti me të gjithë infrastrukturën e kullimit dhe punës së bërë me administrimin e kaskadës e kështu me radhë, sot me këtë sasi reshjesh, kemi një gjendje shumë më të pranueshme dhe absolutisht nën kontroll me atë çfarë duhet të kishte ndodhur si në ato vite kur bëhej hataja. Kështu të vazhdojmë intensivisht këtë punë.

Niveli i reagimit në strukturat vendore me një përjashtim që qëndron si hudhër buzë liqenit të Shkodrës për të mos u marrë mësysh e gjithë Shqipëria ka ardhur duke u përmirësuar. Ky fakt ka ardhur nga gjithë çfarë ndodh në terren. Është absolutisht e rëndësishme të theksohet se nga pikëpamje e jetëve njerëzore s’ka asnjë dëm dhe nga pikëpamja e banesave, dëmet janë minimale.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re