Skip to content

Vance merr në dorë diplomacinë amerikane, kërkon pakt me Iranin dhe shmangien e luftës

2026 11 02T210413Z 1145705370 RC2VFOAA15Y3 RTRMADP 3 USA VANCE 1200x800 1

Zëvendëspresidenti amerikan J.D.Vance, është përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës me Iranin dhe për të rifilluar negociatat mbi programin bërthamor të Teheranit.

Sipas një raportimi të Axios, prej rreth dy javësh Vance po drejton kontaktet indirekte me përfaqësuesit iranianë, duke synuar arritjen e një armëpushimi të ri dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje bërthamore.

Vance ka komunikuar pothuajse çdo ditë me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, komandantin e ushtrisë pakistaneze Asim Munir dhe ndërmjetës të tjerë rajonalë.

Në këto përpjekje janë përfshirë gjithashtu i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i presidentit Donald Trump.

Sipas burimeve të Axios, rreth dy javë më parë Vance i dërgoi një letër Mohsen Rezaeit, sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, ku propozonte rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta.

Nisma thuhet se është pritur pozitivisht nga zyrtarët iranianë. Palët kanë diskutuar edhe mundësinë e një takimi teknik në ditët e ardhshme, megjithëse ende nuk është caktuar një datë.

Përparimi i bisedimeve, sipas burimeve, mbetet shumë i ngadaltë. Edhe Washington Post, duke cituar një zyrtar amerikan, raporton se diplomacia e administratës Trump ndaj Iranit po drejtohet nga Vance.

Gazeta zbulon se sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, me mbështetjen e Trumpit, i ka kërkuar Kinës të përdorë ndikimin e saj mbi Teheranin për t’i dhënë fund konfliktit. Pekini thuhet se e ka përcjellë këtë mesazh te autoritetet iraniane.

Ndërkohë sipas Reuters, Irani i ka përcjellë Uashingtonit, përmes Katarit, një propozim për çështjen bërthamore. Një zyrtar i lartë iranian, ka deklaruar se Teherani është i gatshëm ta diskutojë atë vetëm pasi SHBA-ja të përmbushë shtatë kërkesa.

Ndër to përfshihen heqja e sanksioneve amerikane, zhbllokimi i aseteve iraniane të ngrira dhe pagesa e dëmshpërblimeve të luftës. Irani ka lidhur gjithashtu rifillimin e negociatave me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Nga ana tjetër, Uashingtoni, këmbëngul se çështja bërthamore duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje fillestare. Përpjekjet e Vance, zhvillohen në një administratë që sipas Wall Street Journal është e ndarë mbi strategjinë ndaj Iranit.

Zëvendëspresidenti dhe i dërguari Witkoff mbështesin përfundimin e konfliktit përmes diplomacisë. Në të kundërt, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe komandanti i Komandës Qendrore amerikane, Brad Cooper, favorizojnë rifillimin e operacioneve ushtarake.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Bessent mbështesin vazhdimin e bllokadës dhe ashpërsimin e sanksioneve, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkon rikthimin e sulmeve.

Sipas Wall Street Journal, përplasjet brenda administratës janë intensifikuar pas zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët pësuan humbje të rënda.

Vance e ka lidhur publikisht koston e luftës me rezultatin elektoral, duke nxitur kritika brenda kampit republikan. Megjithatë, sipas ndërmjetësit nga Katari, Ali Al Thawadi, përpjekjet e tij i kanë sjellë pikë në rajonin e Lindjes së Mesme.

Nga ana e tij Trump, duket se po i lë më shumë hapësirë diplomacisë, pa përjashtuar mundësinë e një përshkallëzimi të ri.

Pas një bisede me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, presidenti amerikan deklaroi se Uashingtoni po bisedon me Teheranin.

Megjithatë, forcat amerikane mbeten të gatshme të rifillojnë sulmet me një njoftim relativisht të shkurtër, nëse presidenti u jep urdhrin.

Tensionet mbeten të larta. Trump konfirmoi se SHBA-ja kishte kryer një sulm të kufizuar ndaj një sistemi iranian të mbrojtjes kundërajrore në ishullin Qeshm, ndërsa mediat amerikane raportuan se administrata po shqyrton mundësinë e një ofensive të re.

Irani nga ana tjetër, paralajmëroi se ushtria e tij është më e fortë se në fillim të luftës dhe se mund të rishikojë edhe doktrinën e vet bërthamore.

Në këtë situatë, përpjekja e Vance synon të mbajë të hapur rrugën e negociatave, ndërkohë që kërcënimi i një rikthimi të luftës mbetet real.

Vetë Trump ka deklaruar se është i gatshëm t’i japë diplomacisë më shumë kohë, por ende nuk ka shenja se Uashingtoni dhe Teherani kanë kapërcyer dallimet thelbësore. \\