Fitorja e demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit amerikan ka shkaktuar një debat të hapur brenda kampit republikan, ku lufta në Iran po shndërrohet në pikën kryesore të përplasjes për përgjegjësinë politike të humbjes.
Ndërsa Trump këmbëngul se ndërhyrja ushtarake ishte e domosdoshme dhe se do ta përsëriste të njëjtin vendim, Vance ka zgjedhur një qëndrim shumë më të drejtpërdrejtë, duke e identifikuar konfliktin si shkakun kryesor të disfatës.
Në një reagim të gjatë në rrjetin social X, zëvendëspresidenti tha se arsyeja e humbjes ishte e qartë për pothuajse të gjithë. “Arsyeja pse humbëm është lufta. Vetë presidenti e tha këtë mbrëmë”, shkroi ai, duke iu referuar deklaratave të Trumpit, i cili kishte pranuar se konflikti me Iranin ndikoi në rezultatin zgjedhor.
Vance shpjegoi se, pavarësisht sinjaleve të përziera që kishin dhënë sondazhet para zgjedhjeve, një prej analistëve më të besuar të të dhënave elektorale, e kishte paralajmëruar se shumë votues të Trump-it në vitin 2024 ishin të zemëruar dhe po përgatiteshin të votonin për demokratët.
Sipas informacionit që ai kishte marrë, këta votues kishin katër kërkesa kryesore: përfundimin e luftës në Iran, përqendrimin e administratës te kostoja e jetesës dhe inflacioni, rikthimin e parimit “Amerika e Para” dhe ndryshimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Izraelin.
“Votuesit tanë morën pjesë në zgjedhje. Dhe katër arsyet e mësipërme shpjegojnë pse shumë prej tyre votuan për demokratët”, theksoi zëvendëspresidenti.
Kështu ai hodhi poshtë interpretimin se republikanët humbën për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme të elektoratit të tyre. Sipas tij, problemi ishte se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që kishin votuar për Trumpin dhe Vance në vitin 2024 ndryshuan qëndrim në zgjedhjet e mesmandatit.
Në pjesën më të drejtpërdrejtë të reagimit, Vance sfidoi edhe ata që përpiqen të justifikojnë vazhdimin e luftës me rëndësinë strategjike të objektivave amerikane.
“Nëse dëshironi të argumentoni se ia vlejti, se humbja e Senatit për gjashtë vitet e ardhshme ishte një çmim i pranueshëm, atëherë bëjeni. Argumentoni se ky ishte një çmim që ia vlente të paguhej. Pavarësisht nëse jeni dakord apo jo, të paktën kjo do të ishte e ndershme. Por të gjithë e dinë pse humbëm. Dhe çdo diskutim i sinqertë për rrugën që duhet të ndjekim nga këtu e tutje duhet të nisë pikërisht nga kjo e vërtetë”, shkroi ai.
Këto deklarata përbëjnë një distancim të dukshëm nga linja e Trump-it, veçanërisht pasi Vance kishte mbrojtur publikisht ndërhyrjen ushtarake në muajt e mëparshëm, ndonëse sipas raportimeve të mediave amerikane kishte shprehur privatisht rezerva për vazhdimin e konfliktit.
Djali i madh i presidentit, Donald Trump Jr., i cili konsiderohet gjithashtu një mbështetës i afërt i Vance, e përkrahu publikisht reagimin e tij, duke shkruar: “Jam dakord me çdo fjalë!”.
Nga ana e tij, Trump u përpoq të minimizonte përmasat e përçarjes. I pyetur për vlerësimin e zëvendëspresidentit, ai tha se Vance kishte “në një masë të madhe të drejtë”, duke pranuar se lufta kishte ndikuar në rezultat, sidomos për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve.
Por presidenti nuk shfaqi asnjë pendesë për vendimin që çoi në përshkallëzimin e konfliktit. “Do ta bëja përsëri. Nuk mund të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore. Ia vlejti. Nuk kishim zgjidhje tjetër”, deklaroi ai.
Në të njëjtën dalje publike, Trump mohoi se lufta ishte shkaku i vetëm i humbjes, duke ia atribuar rezultatin edhe kostos së jetesës dhe cilësisë së kandidatëve republikanë. “Po të isha unë në fletën e votimit, do të kishim fituar”, tha ai, duke pretenduar se mbështetja që gëzonte personalisht në mitingje nuk ishte përcjellë te kandidatët e partisë.
Ndërkohë, ndryshe nga raportimet fillestare se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mund të ishte personi i parë që do të paguante politikisht për humbjen, Trump deklaroi se ai po bënte një punë shumë të mirë dhe nuk dha sinjale për shkarkimin e tij.
Më herët, CBS kishte raportuar se presidenti kishte pyetur këshilltarët nëse Hegseth duhej të vazhdonte në detyrë. Por përtej debatit mbi përgjegjësinë për humbjen, deklaratat e Vance kanë një rëndësi të veçantë për të ardhmen e Partisë Republikane.
Me zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 që po afrohen në horizontin politik amerikan, zëvendëspresidenti po ndërton një profil që nuk identifikohet automatikisht me çdo vendim të Trump-it.
Ai po u drejtohet pikërisht atyre votuesve konservatorë që mbështetën premtimin për t’i dhënë fund ndërhyrjeve të kushtueshme ushtarake jashtë vendit.
Për Vance, çështja nuk kufizohet vetëm te lufta në Iran. Kritika ndaj kostos së jetesës, kërkesa për një politikë të jashtme më të përqendruar te interesat amerikane dhe rishikimi i marrëdhënieve me Izraelin, mund të shërbejnë si boshti i një platforme të ardhshme presidenciale.
Ndërkaq Trump, nuk ka dhënë ende një sinjal të qartë se kë do të mbështesë si pasues të tij. Krahas Vance, në garën e mundshme republikane për vitin 2028 përmendet edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Vetë presidenti, i pyetur për ambiciet presidenciale të zëvendëspresidentit, u përgjigj në mënyrë evazive: “Do të shohim. Mund të ketë shumë kandidatë, ose ndoshta askush nuk do të kandidojë. Ndoshta as ai nuk do të kandidojë”.
Humbja elektorale duket se ka ndryshuar kështu jo vetëm raportet e forcave në Uashington, por edhe ekuilibrat brenda republikanëve. Për herë të parë që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, një prej figurave më të rëndësishme të administratës po artikulon publikisht një diagnozë të ndryshme për dështimin e saj.
Dhe ndërsa Trump këmbëngul se lufta ia vlejti pavarësisht kostos politike, Vance po përpiqet të dëshmojë se e ardhmja e republikanëve nuk duhet të jetë domosdoshmërisht vazhdimësia e së njëjtës politikë. \\