Në seancën e djeshme kur po diskutohej buxheti i vitit 2022, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule tha se kjo qeveri po shpenzon për fasada, jo për investime që i vlejnë qytetarëve. Ai solli në vëmendje projektin për aeroportin e Sarandës.

“Kush nuk i do portet dhe aeroportet. A i keni garantuar ujë dhe gjëra të tjera elementare për të gjitha komunitetet në vend që flisni për satelitë? 

Flisni ju zotërinj për aeroportin e Vrionit në Sarandë. Por a e dini ju zotërinj se për të vajtur nga zona e rrëzës deri në qytetin e Sarandës duhet po aq kohë sa nga Tirana në Sarandë? 

Cfarë do t’ju thoni ju banorëve të atyre zonave? Cfarë do thoni zonave të Pogonit dhe Zagorisë që për të vajtur në Gjirokastër iu duhen 3 dhe 4 orë. 

Përshkruani me tone fantazmagorike në një kohë që realiteti flet ndryshe”, tha Dule.

Gara për ndërtimin e aroportit të Sarandës u hap në verë të këtij viti. Ndërtimi do të bëhet koncension. Aeroporti i Sarandës do të jetë aeroporti i katërt në vend pas atij të Rinasit, Kukësit dhe aeroportit të Vlorës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re