Në sallën e konferencave të Bashkisë së Beratit u organizua sot ceremonia zyrtare për dhënien e titullit “QYTETAR NDERI” z. Vangjel Papa. Për kontributin e tij të shquar në fushën e artit, veçanërisht në skulpturë dhe si skicograf – restaurator, për punimet e tij cilësore në artin e skulpturës, të vendosura në qytetin e Beratit, për përfaqësimin dinjitoz në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare, duke qenë disa herë fitues i çmimeve të para, Këshilli Bashkiak vendosi t’i akordojë z. Vangjel Papa titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit. Merrnin pjesë në këtë ceremoni përfaqësues të institucioneve vendore, të forcave politike, të komuniteteve fetare, studiues të artit, artistë, intelektualë, qytetarë etj.

Në përshkrimin e bigrafisë së z. Vangjel Papa, drejtuesi i kësaj ceremonie, z. Kadri Kuka, u ndal kryesisht në edukimin dhe formimin e tij, në kontributin e tij si skulptor, pedagog, restaurator, duke prezantuar përpara të ftuarëve të kësaj ceremonie vlerat e larta intelektuale të një artisti dhe të një qytetari model për të gjithë. Pas prezantimit të jetëshkrimit të z. Papa, drejtuesi i ceremonisë fton Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj, bashkë me Kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, t’i dorëzojnë z. Vangjel Papa titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit. Kryebashkiaku Sinaj në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi kontributin e artistit Vangjel Papa në artet figurative, duke theksuar se njerëz të tillë mbeten në memorien e familjes, shoqërisë dhe qytetit përmes veprave që ata lënë pas. Ndërsa z. Vangjel Papa, përmes emocioneve, shprehu mirënjohjen e tij për vlerësimin që i bëhej nga Bashkia e Beratit, duke thënë se është nder të jesh qytetar i Beratit, por është një privilegj i madh të jesh “Qytetar nderi” i këtij qyteti. Shprehën konsideratat e tyre për artistin Anna Cinquini, Çlirim Mukli, Llambrini Dëna dhe Petrika Stasa. Në fund të ceremonisë, për pjesëmarrësit u shtrua një koktej.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re