Vangjel Tavo është fituesi i zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës. Sipas raportit të KQZ-së, Tavo ka marrë 5022 vota, ose 58.62% të tyre, ndërsa rivali i tij, Petro Gjikuria, 3545 vota ose 41.38%.
Kandidati socialist kryesoi zgjedhjet me më shumë se 1400 vota. Ecuria e procesit të numërimit të votave ishte e qetë. Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës ishin në garë dy kandidatë, Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria.
Por me një diferencë të ndjeshme votash ndaj rivalit të rij opozitar në garë, socialisti Vangjel Tavo u zgjodh kryetari i ri i Bashkisë së Himarës. Pas numërimit të kutive në 36 qendrat e votimit, që përfundoi në orën 7 të mëngjesit të djeshëm, Tavo arriti të marrë 5022 vota, 58.62% të tyre, ndërsa kandidati i opozitës Petro Gjikuria mori 3545 vota, ose thënë ndryshe 41.38%. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Vangjel Tavo, pas përfundimit të numërimit të votave ftoi publikisht rivalin e tij të opozitës, Petraq Gjikuria të bëhet nënkryetar i bashkisë, pasi si u shpreh ai bashkia ka nevojë për të majtë dhe të djathtë. Tavo ishte i pranishëm gjatë numërimit të votave të zgjedhjeve të së dielës, proces që e ka kryesuar vazhdimisht. Pas përfundimit të numërimit, Tavo u shpreh se e priste një rezultat të tillë.
“Pikë së pari do vazhdojmë punën për turizmin. Krahas turizmit, do të merrem me të gjitha problemet që kanë shprehur qytetarët gjatë kësaj fushate”, shtoi Tavoi.
Ai theksoi se qëndron oferta që kandidati i opozitës, i cili i humbi zgjedhjet të qëndrojë nënkryetar.
“Oferta ka qenë e sinqertë. Zoti Gjikuria, nëse nuk do të largohet për në Amerikë, është i mikpritur të jetë nënkryetar i bashkisë sikurse theksova pak më përpara. Bashkia ka nevojë për të gjithë, të majtë e të djathtë. Problemet nuk kanë ngjyrë. Nëse zoti Gjikuria rikthehet në Amerikë, atëherë ka shumë kërkesa nga ana e opozitës”, theksoi Tavo. Ai falënderoi banorët që e votuan për vazhdimësinë e mandatit të PS-së nga 2023.
“Sot fitoi Himara, fituan himarjotët. Dua të falënderoj banorët për durimin që patën të na dëgjonin gjatë fushatës elektorale dhe për besimin që patën duke na votuar në mënyrë plebishitare dhe duke na besuar vazhdimësinë e mandatit 2023. Që sot fillojmë punën për të gjithë ato që u kemi premtuar banorëve. Që sot të bashkuar të gjithë, të majtë e të djathtë. Problemet nuk kanë ngjyrë, Himara nuk ka ngjyrë. Të gjithë për Himarën e bashkuar, pa probleme e pa kriza. Të gjithë për bashkëjetesën, të gjithë për të bashkuar të gjithë realitetet që ekzistojnë në këtë bashki”, u shpreh Vangjel Tavo.
DIFERENCA E VOTAVE
PS-ja e fitoi Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e pjesshme lokale të ditës së diel me një diferencë të thellë. Kandidati socialist Vangjel Tavo triumfoi përballë Petraq Gjikurisë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” të mbështetur nga PD dhe PL, me afro 1500 vota më shumë. Rezultati i konfirmuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm u paralajmërua pak minuta pasi dje u mbyllën qendrat e votimit.
Flamur Noka dhe Vangjel Dule ngritën akuza për manipulime kur numërimi nuk kishte nisur. Por, si arriti PS te kjo fitore me 1500 vota më shumë kur në 14 maj 2023 e humbi Bashkinë e Himarës për 19 vota?
Socialistët fituan bindshëm në Njësinë Administrative Horë Vranisht dhe Lukovë. Por në fakt, në Njësinë Administrative Himarë u sigurua nga PS edhe numri më i madh i votave, krahasuar me 2023, duke bërë diferencën krahasuar me një vit më parë. Në një analizë të thjeshtë elektorale vihet re se Partia Socialiste dhe kandidati Vangjel Tavo kanë performuar shumë mirë në të tria njësitë, ndërsa ndryshim krahasuar me rezultatin e 15 muajve më parë duket se ka thuajse në çdo qendër votimi.
ANALIZA E SHIFRAVE, JA ÇFARË NDODHI KONKRETISHT
Njësia Administrative Horë Vranisht
Në Njësinë Administrative më të vogël, atë të Hore Vranishtit, Partia Socialiste më 4 gusht ka marrë një rezultat tenistik, 1165 ose 89.2%, kundrejt 141 votave të kundërshtarit (10.8%). Megjithatë, rezultati me një diferencë thuajse të tillë ishte edhe 14 majin e 2023-shit, kur PS mori 83.6%, ndërsa PD 16.4%. Rezultati është më i mirë për socialistët që kanë rritur votat e tyre me 193 të tilla, vjen edhe si rezultat i rritjes së pjesëmarrjes. Në 2023 kanë marrë pjesë 1187 zgjedhjes, ndërsa një ditë më parë votuan 1326. Në këtë njësi Partia Demokratike ka rënë me 50 vota (191 në 2023, 141 më 4 gusht).
Njësia Administrative Lukovë
Në 12 qendrat e votimit në Lukovë, Partia Socialiste ka rritur ‘portofolin’ e votave me 455 vota. Tavo është votuar nga 1725 qytetarë, ose 64.7%, ndërsa Goro 15 muaj më parë pati marrë 1270 vota (51.4%). Rritja në përqindje e PS në këtë njësi si rezultat i rënies së ndjeshme të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. 14 majin e vitit 2023 koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori 1200 vota ose 48.6%, ndërsa më 4 gusht mori vetëm 942 vota ose 35.3%, pra një rënie prej më shumë se 13%. Në Njësinë Administrative Lukovë pjesëmarrja në zgjedhje nuk pati ndonjë lëvizje të madhe, 2470 votuan në 2023 dhe 2667 votuan në 2024.
Njësia Administrative Himarë
Tani të vijmë te Njësia Administrative Himarë, e cila përfshin qytetin dhe fshatrat përreth. Edhe pse në këtë njësi kandidati i opozitës fitoi, performimi i Partisë Socialiste ka qenë surprizues. PS ka marrë plot 556 vota më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara, 1576 vota në 2023 dhe 2132 vota më 4 gusht. Pra, socialistët kanë rikuperuar në rezultat më shumë se 7%, pasi kishin marrë vetëm 39% në vitin 2023, ndërsa morën 46.4% një ditë më parë.
Nga ana tjetër, koalicioni Bashkë Fitojmë i Berisha-Meta në Himarë kanë mbetur thuajse në vend sa i përket numri të votave, 2446 më 14 maj 2023 përkundrejt 2462 më 4 gusht 2024. Beleri kishte fituar me 61% të votave, ndërsa Gjikuria mori 53.6%. PS e ka ngushtuar shumë diferencën e një viti më parë, që ka qenë 870 vota mes Belerit dhe Goros, ndërsa në zgjedhjet e së dielës ishte 330 vota mes Tavos dhe Gjikurisë.
Bashkia Himarë (Të tria njësitë administrative përbërëse)
Përgjatë numërimit të 36 kutive të Bashkisë Himarë si të tërë, PS nuk e vuri asnjëherë në diskutim epërsinë në vota. Kutitë e para u hapën ato të Horë Vranisht dhe Lukovës. Kandidati socialist Vangjel Tavo udhëhoqi me numër votash që të kutia e parë e deri tek e fundit.
Në total në të gjithë Bashkinë e Himarës, Partia Socialiste ka rikuperuar thuajse 9 pikë ndaj koalicionit të Partisë Demokratike. 14 majin e vitit 2023 kandidati i PS humbi me 49.9% të votave (3821 vota), ndërsa në zgjedhjet e të dielës fitoi me 58.6% (5022 vota), kundrejt 41.4% të kundërshtarit (3545 vota).