Nga Enkelejda Mema

Vangjel Tavo do të jetë prefekti i ri i Vlorës. Ish deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i përzgjedhuri i kryeministrit Edi Rama për të qenë ai përfaqësuesi i qeverisë në qarkun e Vlorës. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Flamur Mamaj.

Ish ministri i shëndetësisë dhe deputet i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, rikthehet në politikë, këtë herë si përfaqësues i Partisë Socialiste, që dikur i përkiste.

Në ditët e para të janarit emri i Vangjel Tavos u shfaq në të përditshmen greke “Kathemirini”. Ajo pretendonte se kryeministri Edi Rama i kishte propozuar për të marrë drejtimin e përkohshëm të bashkisë së Himarës. Sipas gazetës, kjo lëvizje do të shërbente në zgjidhjen e ngërçit me Greqinë për shkak të çështjes “Beleri”.

Lajmi i publikuar në “Kathemerini” u mohua nga Edi Rama dhe Vangjel Tavo.

Vendosja e një minoritari grek në krye të prefekturës së qarkut të Vlorës a është një lëvizje e qeverisë për të kënaqur Athinën zyrtare që të heqë dorë nga vetoja. Prej dhjetorit të vitit të kaluar procesi anëtarësues i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është bllokuar.

Arsyeja është kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës. Arrestimi i minoritarit grek Fredi Belerit dy ditë para zgjedhjeve dhe moslejimi i tij për t’u betuar pasi u shpall fitues solli reagimin e Greqisë. Ajo pretendon për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sot Fredi Beleri është i dënuar me dy vite burg për korrupsion zgjedhor nga gjykata e posaçme. Kryeministri Edi Rama është deklaruar se deri sa drejtësia të thotë fjalën e fundit, pra kur të ketë një vendim të formës së prerë ndaj Fredi Belerit, Himara do të drejtohet nga humbësi i vendoreve të 2023-it, kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro.

Dhënia e këtij posti minoritarit Vangjel Tavo a do të zbusë “inatin grek? Vetë prefekti i ri a do të shërbejë si negociator mes dy vendeve për heqjen e vetos? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i shohim pasi Vanjel Tavo të fusë këmbët në prefekturën e Vlorës që përfshin edhe bashkinë e Himarës që u bë shkak i ngrirjes së marrëdhënieve mes dy fqinjëve.

V E N D I M

PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË VLORËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Flamur Mamaj, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë.

Vangjel Tavo emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re