Vizion Plus ka siguruar dosjen e plotë të Prokurorisë së Posaçme, dosje e cila çoi në arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dakos dhe 9 zyrtarëve të tjerë.

 

Në këtë dosje shkruhet se Dako akuzohet për shpërdorim detyre dy herë, pra për dy vepra të ndryshme penale.

 

E ndërsa zyrtarët e tjerë akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.

 

Pjesa më e madhe e urdhër-arresteve janë ekzekutuar nga policia. Të arrestuarit janë sjellë në ambientet e drejtorisë së policisë në Tiranë dhe më pas janë dërguar në bllokun e sigurisë.

 

Procedimi ndaj Dakos ka nisur në vitin 2020 për “shpërdorim detyre”. Kjo ka ardhur pas kallëzimit të disa banorëve të pallatit të ndëruar nga shoqëria “Fakle” Sh.p.k me administrator Fiqiri Farruku, gjithashtu i arrestuar.

 

Sipas dosjes, pallati është dëmtuar nga tërmeti tragjik i 2019 dhe është bërë i pabanueshëm. Hetimet shprehen se ky pallat nuk ka respektuar kushtet teknike të projektit dhe nuk duhet të ishte kolauduar. SPAK shprehet gjithashtu se Dako ka legalizuar pallatin pa leje pavarësisht shkeljeve të shumta.

 

Rasti tjetër ku Vangjush Dako ka shpërdoruar detyrën ka të bëjë me një denoncim të Ferdinand Xhaferraj, i cili në atë kohë ishte kreu i PD në Durrës.

 

Ky kallëzim ka të bëjë në lidhje me rehabilitimin e vijës bregdetare në zonën nga Brryli deri në Currila. Sipas dosjes Dako dhe vartësit e tij  i ka shkaktuar një dëm shtetit prej 18 milionë lekësh.

 

Tenderi i fituar nga kompania private “Sphaera” ka qënë thuajse në pragu e vlerës maksimale. Madje në këtë tender nuk janë kryer përllogaritjet e sakta në kundërshtim të VKM-të duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh t reja me TVSH. Në lidhje me këtë rast edhe KLSH kishte raportuar se ky tender ka abuzime.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re