Sot jetojmë në një botë që është e lidhur pazgjidhmërisht me teknologjinë. Shumëçka që ka të bëjë me punën tonë të përditshme, aksesohet vetëm falë ndërmjetësimit me teknologjinë. Edhe koha e lire e njerëzve është kthyer në njëfarë kuptimi, në ‘skllav’ të asaj që ‘ofron’ telefoni, ndërsa problematikat e këtij diskutimi duken më serioze kur fjala vjen tek zhvillimi psiko-motor i fëmijëve.

Një problem që dukshëm mund të vihet re në Shqipëri, është fakti se qëndrimi i fëmijëve para ekranit, ka sjellë problematika në zhvillimin e gjuhës dhe shprehive të shqipes. Siç konstaton mjeku logoped, afro 20% e pacientëve të vegjël, shfaqin të tilla problematika.

“Pa diskutim ka një faktor teknologjia. Ekspozimi ndaj gjuhës së huaj që përgjithësisht kjo gjuhë kthehet si një gjuhë mëmë për fëmijën… duke qenë se ka ngjyra e melodi (duke u parë e dëgjuar në video)  fëmija fillon të familjarizohet me të, ndihet më komfort, duke i dhënë problem kësisoj gjuhës shqipe. Teknologjia ka dhe atë që, duke e konsumuar diçka pa lëvizur, zhvillimi motor është më i ngadaltë. Pandemia ka qenë një faktor rëndues, pasi fëmijët kanë ndenjur në një vend të mbyllur.”– shpjegoi në një intervistë për Abc Erges Eskiu, mjek logoped.

Mbi pasojat e përdorimit të teknologjisë në dëm të zhvillimit të shqipes, mjekja psikiatre e fëmijëve në QSUT, u rekomandon prindërve që të kufizojnë oraret e ekspozimit të të miturve para ekranit.

“Fëmijët janë të zotët, që në moshë të vogël. Në një kohë kur s’kanë mësuar psh t’i japin biçikletës apo të lidhin këpucët e tyre, janë të aftë të hapin e lundrojnë në google, youtube, të gjejnë kanalin e tyre të preferuar, etj. Është një problem për prindërit dhe çfarë ne sugjerojmë, do të ishte që, koha përpara ekranit të jetë e kufizuar. Ne rekomandojmë që të mos ketë ekranë në dhomën e fëmijëve apo edhe të prindërve, që fëmijët të mos i zërë gjumi me një televizor ndezur.”-tha mjekja Sonila Tomori, psikiatre fëmijësh në QSUT.

Por përtej problematikave në të folurën e shqipes, një tjetër shqetësim është rënia e nivelit të përqendrimit kur fëmijët përballen me një tjetër ‘ndërmjetësues’… librin. Siç shpjegon një mësuese e fillores në Tiranë, disa fëmijë shfaqin lodhje gjatë orëve të mësimit dhe humbje të shpejtë të përqendrimit

“Ka nxënës që janë pak më të zbehtë në të folur, e në këto raste i kemi vënë për detyrë që të lexojnë sa më shumë për të zhvilluar fjalorin. Mendoj se një faktor, është marrja me teknologjinë më tepër sesa duhet. Ku duket kjo? Duket në lodhjen që ato shprehin në klasë dhe në moszgjatjen e përqendrimit në orët e mësimit.”-shpjegoi për Abc Lida Lohja, mësuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re