Nga: Alban Gorishti

Kudo që të shkosh nëpër “kioskat” virtuale apo reale të vendit tonë dëgjon njerëz që ankohen për gjithfarë lloj uniformash, disa ankohen për “barkun” e policëve, disa të tjerë për “xhepin” e mjekve, e disa per drejtësinë e të “pakorruptueshmëve”. Por të mjafton një shëtitje e shkurtër nëpër sokaket e  skajshme të këtij “qytetërimi” për të kuptuar se në këtë pikë nuk ka dorë varfëria materiale por ajo shpirtërore e këtij kombi. Pjesë e kësaj retorike është çdo moment i vogël i përditshmërisë tonë. Mometi i ethshëm kur hipim në autobus për të zënë një vend në “kabinën” e nderit, momenti kur përbuzim këdo dhe çdo gjë, momenti kur e lëmë makinën duke bllokuar rrugën për tjetrin , momenti kur fëmija i tjetrit është tërësisht i pavlerë nën bëmat e fëmijës tonë, momenti kur incitojmë dëmin te tjetri por e largojmë të njëjtin nga vetja. E kështu shpesh herë ia vemë fajin pushtetit dhe kurrsesi vetes apo tjetrit për mungesën e theksuar shpirtërore (kulturore) në ndërtimin e një qytetërimi funksional. Por kjo temë kërkon një diskutim akademik në percaktimin e prioriteteve dhe të metave dhe kurrsesi një debat emocional nën ndikime interesash apo ngjyrimesh ideore.

Po e ilustroj me një shembull konkret këtë fenomen. Para disa kohësh u sorollata në zyrat e kadastrave shtetërore vetëm për një vule në një dokument personal. Me pak fjalë në kadastrën e qytetit tim dhanë dorëheqjen mbi 12 drejtorë njëri pas tjetrit, problemi që mu shkaktua në këtë sens ishte se në zyrat qendrore të kadastrës më kerkonin datën me firmën e updeituar të drejtorit të ri pasi të vjetrin nuk e njihte më shteti në momentin që dorëhiqej dhe me kërkonin gjithmonë vulën dhe firmën e të deleguarit ose të mandatuarit(pasi dokumenti rajonal donte të paktën disa javë të dilte). E kështu u sorrollata në kërkim të një “drejtori” për dokumentin tim të cilit realisht i mjaftonte një search  disa sekondesh për të mbërritur tek zgjidhja përfundimtare.

Por pse e gjithë kjo? Këta drejtora apo paraardhës të tyre të dorëhequr(apo ata që e kishin krijuar këtë ngërç) apo këtij sistemi “muskular” i cili falimenton shpesh nën goditjet e vjedhjeve dhe abuzimeve marramendëse, a kanë vepruar të detyruar nga ndonjë urdhër ministror apo ka qenë pa përgjegjësia dhe makuteria e tyre personale ( e brendshme) që e ka formësuar këtë “trup” (sistemin) në trajtën e gungaçit?Apo mos minimalisht ka qënë neglizhenca e gjithkujt (po marr rastin më pozitiv në këtë diskutim) e cila prodhon mostrume si ai në të cilin po jetojmë?

Të sorollatesh kaq shumë për një vulë “mospasjeje” (pasi dokumenti im kishte të bënte më një mohim dhe jo me një pohim pronësie)është pasojë e mungesës së tejskajshme të një formësimi kulturor personal dhe kurrsesi faj ekskluziv i ndonjë institucioni ligjformues. Dhe kjo të sjell ndërmend se përse ata që “kanë” (prona) i thjeshtësohet i gjithë itinerari edhe nëse prona nuk është në ëmër të tyre. Ligji në fund te fundit bëhet për t’i zbatuar nga vet njerëzit ndërsa në thelb moszbatimi i tij është mungesë shpirtërore dhe jo juridike, pasi shpirti e kërkon rregullin ndërsa kaosi e alienon shpirtin. Ka dallim, i sëmuri që e njeh mirë sesi është të jesh i shëndetshëm nga i shëndoshi që nuk di ta përshkojë mirë të qenit i shëndetshëm. Apo midis njohjes së frikës saj dhe përshkrimit  nga përjetimi i saj. Dikush mundet të kundërshtojë duke thënë : si mundet të ngresh të tilla pretendime? I përgjigjem duke i tërhequr vëmendjen e një fenomeni në vendin tonë, hapjen e shumë “punishteve” private për zanate të cilat shumë  thjesht dhe më më efikasitet mundet të rregullohen më mirë në mënyrë kolektive. Bare, farmaci, klinika dentare, etj etj që i sheh me vend e pa vend në çdo cep të këtij “civilizimi”. Të paftë të raportohen me njëri tjetrin duke krijuar sindikata të përbashkëta ashtu që të grupohen dhe mos të shumëfishohen si sythat e një bime të cilat tregojnë për kalbjen e kësaj bime nëse keto të fundit nuk mbillen siç duhet në tokë. Zakonisht njerëzit e vuajtur dinë ti ofrojnë komoditete shpirtërore të tjerëve, nuk e di pse me ne si popull ndodh e kundërta. Distanca kohore për sociologët, gjithnjë bëhet një pengesë serioze për të evidentuar ndryshimet apo shtresimet kulturore që zakonisht ndodhin ndër popuj të ndryshëm. Për këtë është e domosdoshme për ne si popull të evidentojmë ,sot para se të jetë tepër vonë,mangësitë,pikat e forta, talentet dhe traditat e vërteta kulturore para se varfëria shpirtërore të marri trajta të papërpunueshme. Pavarësisht se për çështjen shqiptare sot flitet  me të njëjtën gjuhë politike apo sociale pothuajse në krejt hapësirën kombëtare shqiptare, ne ende nuk kemi një politikë kombëtare… sepse ende nuk i kemi përcaktuar interesat tona të përbashkëta kombëtare që do të përpiqej t’i sendërtonte ajo politikë.Në fakt këto përcaktime nuk kanë formula të sakta por në Islam ekzistojnë formula që të orientojnë fuqishëm drejt të saktës. Islami është kontrolli i përsosur për Fitren. Ai ofron një metodë hyjnore që e ngre njeriun mbi kafshën dhe pjesën tjetër të krijimit. “Kush pretendon se do Allahun dhe Pejgamberin e Tij ose dëshiron të fitojë dashurinë e Allahut dhe Pejgamberit të Tij, atëherë, kur të flasë të thotë të vërtetën, të çojë në vend amanetin e dhënë dhe të sillet mirë me fqinjët.” Bejhaki-Shuab, 2/201. Në jurisprudencën islame (sheriat): “Pasuria jote, është e jotja. Pasuria ime, është e imja.Ndërsa në fund ,Gjithçka është e Allahut”. Mbi këto themele ndërtohet pasuria shpirtërore(kulturore) e një shoqërie. Kuptohet nëse nesër kërkojmë një mjek që të na kurojë ,një polic që të na flasi me respekt ,një gjykatës që të na trajtojë me drejtësi,një mësues që të na dojë ,një gjiton që të na i kalojë në mirësi,një zyrtar që të na orientojë dhe mbi të gjitha politika që të na vllazërojnë dhe jo armiqësojnë me njëri tjetrin.

Në fund të këtij shkrimi dua të përmend një perceptim interesant rreth asaj sesi  mundet të largohet e keqja nga një shoqëri dhe të afrohet e mira në të, një “ recetë” tepër efikase për të gjithë ata që duke menduar se po rrisin qengjin realisht nën “rritmet” e shfrenuara të një ambjenti  tashmë të ndotur ,realisht po rrisin ujkun,në fund mos harroni varfëria shpirtërore është ajo që e rënon një traditë një qytetërim ndërsa ajo varfëri ndillet nga e keqja dhe përzihet vetëm se nga e mbara:

Tha Ibnul-Xhevziu : ”Dije se Iblisi ndaj të civilizuarit (të devotshmit) dhe atij që nuk është i (devotshëm, i pasur shpirtërisht) civilizuar, është sikurse njeriu i ulur pranë të cilit ka ushqim dhe mish. Pranë tij kaloi një qen, të cilit ky i bërtet duke i thënë: Largohu, kështu që ai u largua. Më pastaj, qeni kaloi pranë njeriut tjetër (i cili nuk është i devotshëm) pranë të cilit kishte ushqim dhe mish, e saherë që ky mundohej ta përzente, ai kthehej përsëri. Njeriu i parë është i (devotshmi) i pasuri në shpirt , të cilit i mjafton përmendja e Zotit  që ta përzë shejtanin, kurse njeriu i dytë është i varfri shpirtërisht (padevotshmi), të cilit nuk i largohet shejtani, si shkak i veprave të pahijshme të tij.”

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re