Nisja e bisedimeve për anëtarësim është mesazhi më i fuqishëm që Brukseli i çoi sot Shqipërisë për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Gjatë një konference për shtyp komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi deklaroi se shqiptarët  duhet të jenë të bindur se një ditë do të jenë pjesë e BE.

 

OLIVER VARHELYI

KOMISIONER PER ZGJERIMIN

“Mesazhi im drejt qytetarëve të Shqipërisë është tejet i thjeshtë: Ne duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane dhe kjo as që diskutohet!”

 

Në këtë fazë procesi bëhet jo pak i komplikuar, pasi i gjithë procesi i negociatave bazohet mbi 6 clustera ose grupe kapitujsh. Dhe i pari për të cilin BE nis që sot të monitoroje Shqipërinë, është ai që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë, sigurinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe kriteret ekonomike.

 

OLIVER VARHELYI

“Sipas metodologjisë së re, klasteri i parë që do të hapet dhe i fundit që do të mbyllet, është shteti ligjor, pra do të fillojmë të punojmë me fushën e shtetit ligjor dhe dukshëm edhe gjendja e gjyqësorit do të diskutohet. Vetëm mund t’ju konfirmoj se ne nuk kemi për tu prapsur në kërkesat tona, që do të thotë se duhet të ketë prova që ka raste që duhen zgjidhur dhe këto duhen zgjidhur.”

 

Por nga ana tjetër komisioneri i zgjerimit ka nënvizuar rendësin e gjithëpërfshirjes në këtë proces.

 

OLIVER VARHELYI

“Padyshim na duhet konsensus mbarëkombëtar për të mbizotëruar për ta bërë këtë gjë të ndodhë sepse në këtë rrugëtim na duhet e na duhen të tërë në Shqipëri për ta mundësuar këtë gjë dhe për t’i bërë këto negociata jo vetëm gjithëpërfshirëse por edhe shteruese, përfundimtare sepse negociatat kanë një natyrë transformuese dhe këto negociata do të prekin, ndikojnë ditën dhe përditshmërinë e qytetarit shqiptar.”

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Negociatat për anëtarësim janë në vetvete një instrument transformimi i përditshëm. Arsyeja pse i kemi kërkuar me kaq ngulm, natyrisht ka të bëjë më objektivin për të shkuar në anëtarësim të plotë, por ka të bëjë njëkohësisht, e kam thënë vazhdimisht, me faktin që negociatat janë një transferim dije i pazëvendësueshëm që nuk e gjen dot në asnjë realitet tjetër të botës politike dhe për këtë arsye komisioneri e nënvizoi dhe duhet ta kemi të gjithë parasysh që çdo hap në negociata, duke nisur nga çdo kërkesë e negociatave përbën një vlerë të shtuar dhe përbën një mundësi të re për të çuar përpara gjithë aspektet e jetës së vendit.”

 

Ndërkaq kryeministri Rama sqaroi se mungesa e opozitës në delegacionin shqiptar vjen vetëm për shkak të çarjes së partisë demokratike.

 

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“natyrisht që mund të kishim kërkuar një ndryshim për të ftuar një përfaqësues apo edhe më shumë se një nga ana e opozitës, por kemi një problem, që nuk është një problem i Brukselit dhe nuk është një problem për tu trajtuar në Bruksel, që ne nuk e dimë se kush është kush, në anën e opozitës.”

Por pavarësisht çeljes së bisedimeve për anëtarësim, të gjithë palët u treguan të kujdesshëm për të mos përmendur asnjë afat kohor se sa vite apo dekada do ti duhen Shqipërisë për tu bërë anëtare e BE.

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re