Njihni simptomat dhe largoni variçet 

Venat varikoze nuk janë vetëm një problem estetik. Venat e zgjeruara, të njohura si variçe, shpesh janë gjithashtu një problem mjekësor. Mbyllja e gjakut rrit rrezikun e formimit të mpiksjes, gjë që mund të çojë në dhimbje, ënjtje të këmbëve dhe dëmtime vaskulare.

Si zhvillohet në të vërtetë një variçe dhe cilat janë simptomat? Si të hiqni variçet dhe si të parandaloni formimin e tyre? Ju mund të mësoni më shumë për këtë më poshtë.

Çfarë janë variçet?

Sipas përkufizimit, variçet janë venat sipërfaqësore të zgjeruara. Ato shfaqen kryesisht në këmbë dhe kanë një ngjyrë të kaltër të dukshme nëpër lëkurë. Nëse janë keni në formë të rëndë, ato fryhen nga jashtë, janë lehtësisht të prekshme dhe shpesh duken të përdredhura dhe me nyje.

Si zhvillohen variçet?

Venat shërbejnë në trup për të rikthyer gjakun në zemër. Venat kanë valvula venoze në mënyrë që gjaku të mund të transportohet kundër gravitetit, për shembull nga këmbët. Këto valvula mbyllen në faza në varësi të rrahjeve të zemrës, për të parandaluar rrjedhjen e gjakut. Ato veprojnë si valvula dhe ndihmojnë gjakun të rrjedhë në drejtimin e duhur, pra drejt zemrës.

Nëse indi lidhor është i dobët, valvulat nuk mbyllen më siç duhet dhe formohet një grumbull gjaku. Kjo rrit presionin në vena, gjë që bën që ato të zgjerohen.

Përveç kësaj, mungesa e stërvitjes mund të çojë në dobësimin e muskujve të këmbëve dhe për këtë arsye të mos shtrydhin më në mënyrë aktive venat atje. Kjo, gjithashtu kontribuon në faktin se gjaku mund të grumbullohet lehtësisht në këmbë dhe venat zgjerohen.

Shkaqet dhe faktorët e rrezikut për venat e zgjeruara

Variçet në varësi të shkakut ndahen në të ashtuquajturat variçe primare dhe dytësore. Ndërsa shkaktari për variçet primare është bllokimi i gjakut në vena, i cili shkaktohet nga valvulat venoze të dëmtuara, variçet dytësore shfaqen si pasojë e një sëmundjeje tjetër. Kjo përfshin, për shembull, një trombozë. Një trombozë ndodh kur një enë gjaku bllokohet nga një mpiksje. Kur rrjedha e gjakut pengohet mund të shkaktojë mbledhjen e gjakut dhe kjo krijon variçe të dhimbshme.

Rreziku i zhvillimit të variçeve rritet nga faktorë të ndryshëm. Këto përfshijnë, ndër të tjera:

  • Qëndrimi i gjatë në këmbë dhe ulur
  • Shfaqja e variçeve në familje (insuficienca venoze gjenetike)
  • Mosha e madhe
  • Mbipesha
  • Sëmundjet ekzistuese vaskulare
  • Shtatëzënia

Cilat janë simptomat e variçeve?

Shenjat e variçeve janë të ndryshme per secilin. Ndonjëherë variçet kalojnë pa u vënë re për një kohë të gjatë, sepse nuk ka simptoma. Në fazat e hershme, këmbët shpesh ndjehen të rënda dhe të lodhura pas qëndrimit në këmbë ose ulur për një kohë të gjatë.

Simptoma të tjera që mund të shfaqen, përfshijnë:

  • Këmbë të fryra, veçanërisht në kyçet e këmbëve
  • Ndjesi kruajtje dhe ndjesi tërheqjeje lëkure
  • Dhimbje në këmbë
  • Ngërçe në pulpën e këmbës gjatë natës

Çfarë mund të bëni për t’i hequr variçet?

Në thelb ekzistojnë dy qasje të ndryshme për trajtimin e venave me variçe: pa kirurgji (konservative) ose me kirurgji (kirurgjikale). Të dyja format e trajtimit shpesh kombinohen bashkë.

Trajtimi që vendoset të përdoret varet nga lloji i venave me variçe dhe simptomat e tjera shoqëruese. Mjeku merr vendimin për një trajtim specifik së bashku me personin që vuan problematikën, duke marrë parasysh avantazhet dhe disavantazhet.

Trajtimi i variçeve pa operacion

Për fat të keq, variçet nuk largohen me trajtim konservativ. Prandaj nuk është e mundur mbyllja ose heqja e venave pa operacion. Megjithatë, terapia konservative ndihmon kundër simptomave dhe parandalon që variçet të përkeqësohen.

Çorapet e kompresimit ose fashat e kompresimit përdoren për të ushtruar presion mbi venat e këmbëve nga jashtë. Në këtë mënyrë, funksioni i valvulave venoze mund të përmirësohet dhe të nxitet kthimi i gjakut në zemër. Trajtimi me kompresim duhet të kryhet në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme, që do të thotë se çorapet e kompresimit duhet të vishen çdo ditë.

Trajtimi i variçeve me operacion

Në trajtimin kirurgjik të variçeve mund të përdoren procedura të ndryshme mjekësore. Përdoren për të hequr plotësisht variçet ose për t’i ndryshuar dhe mbyllur ato në mënyrë që të mos mbushen më me gjak.

Metodat e mëposhtme janë ato që përdoren më shpesh në kirurgjinë vaskulare:

Tërheqja e venave me variçe

Heqja e venave me variçe është përdorur si metodë për më shumë se 100 vjet. Gjatë procedurës, vena e prekur e trungut në këmbë nxirret jashtë. Vena tërhiqet përmes një prerjeje në ijë. Në ditët e sotme ka edhe procedura më të buta në të cilat tërhiqen vetëm pjesët e sëmura të venës (zhveshja e pjesshme).

Metodat termike: lazer, radiovalë dhe avulli i nxehtë

Trajtimi me lazer së bashku me terapinë me radiovalë dhe llojin e ri të terapisë me avull të nxehtë, është një nga procedurat që përdorin temperatura të larta për të mbyllur në mënyrë specifike venat e prekura. Instrumentet e holla dhe fleksible futen në vena dhe nxehen kur të kenë arritur në pjesën e sëmurë të venës. Nxehtësia bën që proteina të mpikset, duke bërë që venat të shpërndahen.

 

Parandalimi i variçeve – çfarë ndihmon?

Nëse dëshironi të parandaloni variçet ose të parandaloni rishfaqjen e tyre, është e rëndësishme të ushtroheni mjaftueshëm, të ushqeheni shëndetshëm dhe të shmangni zakonet që dëmtojnë enët e gjakut, siç është pirja e duhanit. Veshja e çorapeve kompresuese gjithashtu mund të vonojë ose ndalojë zhvillimin apo përkeqësimin e variçeve.

Përshtati në Shqip: Marsida Bregasi /  Burimi: https://www.gesundheit.de/krankheiten/gefaesserkrankungen/venenleiden/krampfadern-varizen

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re