Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas zbulimit të një varri masiv në Përmet ku dyshohet se prehen viktima të diktaturës komuniste. Përmes një mesazhi në “Facebook” Meta nxit institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës.

Ndër të tjera. Meta thekson se të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.

“U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës.

I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës.

Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.

Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë. 🇦🇱”, shkruan Meta.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re