Nga Blendi Gashi

Me nderimet më të larta shtetërore i është dhënë lamtumira e fundit Adem Demaçit, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, Hero i Kombit, fitues i çmimit “Sakharov”, njeriu që ndryshe njihet si “Mandela i Kosovës”.

Demaçi u varros në “Varrezat e Dëshmorëve” në lagjen Velania në Prishtinë, pak metra larg nga varri i ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, ku përveç personaliteteve të larta shtetërore të vendeve të ndryshme, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe më gjerë, për të përcjell veprimtarin Demaçi në banesën e fundit prezent ishin edhe mijëra qytetarë.

Ceremonia në shesh, bojkoti i LDK-së…

Para ceremonisë së varrimit, për nder të Demaçit u mbajt një ceremoni komemorative në sheshin “Skënderbeu”, e cila filloi me intonimin e himnit shtetëror pastaj kombëtar, dhe me një minutë heshtje, ku u vlerësua shumë lartë vepra dhe puna e Demaçit.

Por kjo ceremoni u bojkotua vetëm nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi asnjë përfaqësues i kësaj partie nuk ishte prezent dhe sigurisht kjo ka ndodhur për shkak të mospajtimeve politike që Demaçi ka pasur ndër vite, ku vlen të theksohet një deklaratë e tij ku thoshte se “Rugova sabotoi luftën”.

Portali ynë tentoi të kontaktojë me zyrtarë të kësaj partie por kjo ka qenë e pamundur pasi ata nuk kanë hapur telefonat.

Kujtojmë se të premten nënkryetari i Klinës nga radhët e LDK-së, Besim Hoti, e cilësoi “monstrum dhe përçarës” Adem Demaçin, ndërsa në këtë cilësim mori përkrahjen e deputetëve Naser Rugova e Armend Zemaj.

Adem Demaçi “Mandela i Evropës”…

Presidenti Hashim Thaçi, tha se Demaçi ishte një kolos që u flijua gjithë jetën për shqiptarët dhe se ideal jetësore e kishe bashkimin e shqiptarëve.

“Kombi shqiptar po ndahet nga Adem Demaçi, një kolos që u mohua tërë jetën për qëllimin madhor lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e shqiptarëve”, tha Thaçi.

Ai tha se sot bota po ndahet nga “Mandela i Evropës”. Sipas tij, Demaçi ishte një burrë ku i flijoi 28 vitet në burgje pa u mposhtur asnjëherë.

“Rini, shpirtin e talentuar e plot dhunti, dhe moshën e burrërisë Adem Demaçi i flijoi 28 vite në burgjet jugosllave, pa u thyer e pa u mposhtur ndonjëherë”, tha Thaçi.

Kurse presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se veprimtarin Adem Demaçi, qëndroi, luftoi dhe fitoi, duke u bërë shembull për të gjithë shqiptarët.

“Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove, duke u berë për gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun i sakrificës dhe dashurisë për të i vetmohimit dhe dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit. I dashur baca Adem, jeta jote ishe luftë dhe ti këtë luftë e fitove. Jeta jote ishte sakrificë pa mbarim, po ti ja dole t’i përballosh e sfidosh ato si rrallë me urti e fisnikëri”, tha Meta.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj tha se baca Adem Demaçi ishte patriot si të tjerët por i veçantë me veprën e tij.

“Ishe i vetëm për të drejtën e plotë, kur të tjerët ju gëzuan lirisë së pjesshme, ty të mundonte robëria e pjesshme. Ti dhe nga liria jote më shumë se të gjithë ne për së gjalli”, tha Haradinaj.

Fëmijët e Demaçit: babain e ndave me të gjithë shqiptarët

Pak fjalë për babain e tyre folën edhe dy fëmijët e Demaçit, Abetarja e Shqiptari.

“Para se të vdiste më thoshte se më e rëndësishmja është ta njohësh veten. Ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten, dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja, më thoshte ai. Kështu si jemi, nuk e njohim as veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit dhe do na përsëritet historia”, tha Abetare Demaçi.

Ndërsa, Shqiptari falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm për të nderuar babanë e tij.

Demaçi ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare, të enjten, më 26 korrik, në shtëpinë e tij në Prishtinë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re