Në aksin kombëtar Korçë-Ersekë janë vendosur këto dy tabela të cilat tregojnë se vetëm pak metra më larg ndodhet Tuma e Kamenicës. Fatkeqësisht me kalimin e viteve interesi për të ka rënë ndjeshëm, çka ka bërë që vizitorët vendas dhe të huaj të mos i kushtojnë vëmendje.

Arkeologu Lorenc Cenolli bën me dije se që nga viti 2015, që pas ndarjes së re administrative, Tuma i ka kaluar për mirëmbajtje bashkisë, ndërkohë që drejtoria rajonale e kulturës ka në administrim vetëm pjesën arkeologjike të saj.

Për arkeologun e drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore, Tuma aktuale është shumë herë më keq se në kohën kur kanë filluar gërmimet.

 

I kontaktuar nga Vizion Plus, administratori i njësisë Mollaj tha se kërkohet pastrimi i barërave të Tumës, ndërsa rojet, ciceroni, si dhe restaurimi rrethues i saj i përkasin drejtorisë rajonale të trashëgimisë së kulturës.

 

Tuma e Kamenicës përfaqëson monumentin mortor më të madh të llojit të vet në raport me 200 tumat e tjera të gërmuara në Shqipëri dhe në zonat fqinje të Ballkanit e më gjerë.

 

Kjo është një nga tumat më të mëdha të njohura deri më tani, në të cilën u zbuluan 400 varre, mbetje skeletorë të 430 individëve dhe më shumë se 3500 objekte. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së bronzit të vonë rreth shek XII para erës sonë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re