Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, sjell Rumaninë si shembull ekselent për maxhorancën. Vasili shkruan se Rumania, vend i BE-së dhe anëtar i NATO-s ka shembullin e Presidentit Iohannis i cili ngrihet në lartësinë e misionit të mbrojtjes të Kushtetutës dhe sundimit të ligjit duke u përballur me qeverinë e kapur nga krimi.

Ai ironizon dhe sekretarin e përgjithshëm të PS, Taulant Balla duke thënë se për të “është edhe më e lehtë falë rumunçes, që e njeh jo vetëm se i duhej për shkollë, por edhe për të tjera punë!”

POSTIMI I PLOTË

Rumania shembulli ekselent për Tao-n dhe Tao-t!

Meqenëse Tao & co duan një shembull nga një vend i BE dhe anëtar i NATO-s, se si Presidenti ngrihet në lartësinë e misionit të mbrojtjes të Kushtetutës dhe sundimit të ligjit duke u përballur me qeverinë e kapur nga krimi atëherë po i japim Rumaninë.

Për Tao-n është edhe më e lehtë falë rumunçes, që e njeh jo vetëm se i duhej për shkollë, por edhe për të tjera…punë!
Tre vjet më parë Presidenti Iohannis në krye të dhjetëra mijëra qytetarëve rumunë deklaronte:

“Një bandë politikanësh me probleme kriminale dëshiron të ndryshojë ligjin në Rumani dhe të dobësojë sundimin e ligjit. Kjo nuk mund të lejohet. Është e papranueshme të ndryshohet legjislacioni në mënyrë që dhjetëra apo qindra politikanë me probleme ligjore të pastrojnë të dhënat penale dhe të vazhdojnë veprimet e tyre të gabuara. Rumunët janë indinjuar me të drejtë”, thoshte Iohannis në shesh.

Liviu Dragnea në atë kohë Kryetar i partisë në pushtet dhe njëherazi Kryetar i Parlamentit rumun deklaroi për veprimet e presidentit Iohannis se:
“një fillim grushti shteti. Presidenti ishte jashtë ligjit sot, duke synuar avantazhe politike personale dhe duke kërkuar shmangie kushtetuese”.
Populli rumun që e kishte votuar në mandatin e parë Presidentin me 53% të votave e votoi në mandatin e dytë me 66% të votave sepse Presidenti Iohannis u vu në krah të popullit dhe Kushtetutës.

Ja në Foto Presidenti Iohannis në mes të mijëra protestuesve.