Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një lidhje të drejtpërdrejtë në televizionin “News 24”, deklaroi se “edhe pse kanë bashkëpunuar në rastin e krizës së koronavirusit, nuk ka as marrëdhënie të ftohta dhe as të ngrohta mes Metës e Ramës”.

Vasili theksoi se, qeveria vazhdon të bëjë politika të gabuara për karantinën, duke vënë në dukje edhe faktin se nuk ka ende shërbim të mjekut të familjes etj.

“Pandemia e koronavirusit ka tronditur botën. Gjendja e fatkeqësisë u vendos, pas insistimit tonë. Sensi kritik dhe aktiv i presidentit ishte shpëtimtar që, të mos kishim një legjislacion penalizues dhe antidemokratik. Ne bëmë që, legjislacioni ynë të afrohet me atë të Danimarkës. Zgjatja e afatit të pandemisë së virusit është e pakuptimtë.

Nëse nuk do të kishte bashkëpunim, situata do të ishte kritike. S’ka marrëdhënie të ftohta dhe të ngrohta mes Metës dhe Ramës. Bashkëpunimi ishte domosdoshmëri për të minimizuar krizën. Por, qeveria vazhdon që të bëjë gabime në politikat për karantinën, ndërsa ka edhe mungesë të mjekut të familjes”, tha Vasili.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re