Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili reagon pas publikimit të lajmit se një shkollë private në Tiranë mbyll aktivitetin e saj për dy javë nga frika e Koronavirusit.
Sipas tij, në një kohë kur nuk ka asnjë rast të regjistruar në Shqipëri, një vendim i tillë thjesht është përhapje e trashë paniku.
“Përse mbyllet një shkollë private kur nuk ka asnjë rast me koronavirus dhe asnjë të dyshuar? Kjo është një përhapje paniku e trashë. Ç’bën Task Forca e shëndetesisë? Si mundet të lejojë këtë? Po Ministria e Arsimit pse rri si hu gardhi?? Për Kryeministrin nuk po pyes fare se nuk ja vlen të harxhoj kohen!”, shkruan Vasili në reagimin e tij.
Në njoftimin e saj në rrjetet sociale, shkolla “Udha e Shkronjave” shkruan:
MBYLLIM SHKOLLËN PËR DY JAVË
Pas një konsultimi me prindër, specialistë dhe pas shqyrtimit të lajmeve (CNN-BBC-CORRIERE DELLA SERA, etj.) për ngjarjet në Itali, vendosëm të mbyllim shkollën si masë paraprake për të përgatitur prindërit dhe komunitetin. Vendimi nuk është si shkak i ndonjë informacioni konfidencial, por si masë paraprake përgatitore. Arsyetimin e gjeni edhe në link. Nuk është për panik, por është për përgatitje më të mirë.
Tiranë, më 23 shkurt 2020