Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili shpërtheu në sulme ndaj kryeministrit Edi Rama pas urdhrave të dhënë nga ky i fundit për përballimin e koronavirusit. Në “Facebook”, Vasili i bëri thirrje Ramës që të tërhiqet nga vendimet e çmendura, siç i quan ai, dhe të mendojë seriozisht si të përballojë pandeminë.

 

“Edi Rama përballu me pandeminë dhe tërhiqu nga vendimet e çmendura sa je në kohë…! Edi Rama nuk i sistemon dot nervat e shkatërruara me akt normativ për koronavirusin. Duke marrë makinën në garazh atyre që do dalin pas orës 18 do të thotë që ky kryeministër duhet lidhur dhe i duhet bërë elektroshok. Nuk infektohen njerëzit me orar. Duhet 24 orë kujdes. Pas orës 18 nuk infekton më shumë virusi dhe para orës 18 më pak or derëzi! Edi Rama: duhen tamponë për diagnozën e koronavirusit, duhen veshje mbrojëse për mjekët e infermierët, që po infektohen, duhen materiale dezinfektuese, duhet dezinfektim i rrugëve të qyteteve, janë këto na shpëtojnë nga koronavirusi dhe jo marrëzitë e tua me shtetrrethime pandemike e me sekuestrim makinash në garazh.”

 

Ai e kërcënoi kryeministrin se do të kallëzohet sepse po vë në rrezik jetën e qytetarëve.

 

“Do kallëzohesh për rrezikimin e jetës së mijëra të moshuarve të bllokuar, të lënë edhe pa mbështetjen e fëmijve të tyre që nuk mund të lëvizin se ke shpallur ti shtetrrethim idiot. Do të kallëzohesh për të gjithë ata njerëz me aftësi të kufizuar, që jua vështirësove e rrezikove jetën me rregulla të çmendura pa asnjë lidhje dhe asistenca e tyre bëhet e pamundur. Do kallëzohesh se ke marrë vendime antiligjore dhe psikopatike, vendime që shkelin Kushtetutë e ligj.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re