Një pjesë më e vogël e hirit të një të ndjeri të djegur mund të ruhet në një vend që ishte i dashur për të gjatë jetës së tij, në vend të një kishe apo varreze, njoftoi Vatikani, duke zbutur qëndrimin e tij të mëparshëm për këtë çështje.

Sipas udhëzimeve të mëparshme të vitit 2016, Vatikani urdhëroi që hiri të mbahej në “vende të shenjta”, që do të thotë se nuk duhet të mbahet në shtëpi, i shpërndarw në natyrë ose të ndahet midis anëtarëve të familjes.

Gjithashtu u paralajmërua se një funeral i krishterë mund t’u mohohet atyre që kërkojnë që hiri i tyre të shpërndahet në natyrë. Zyra doktrinare e Vatikanit, Dikasteri për Doktrinën e Besimit, njoftoi se udhëzimet ekzistuese ende zbatohen, por udhëzimet e reja shtojnë se të afërmit mund të kërkojnë “një pjesë më e vogël e hirit të të ndjerit të ruhet në një vend që do të thoshte diçka për të gjatë jetës së tij”.

Kjo do të lejohej me kusht që praktikat antikristiane si panteizmi apo natyralizmi të “përjashtohen” dhe pjesa e mbetur e hirit të mbahet në një vend të shenjtë, njoftoi Dikasteri për Doktrinën e Besimit.

Mbajtja e hirit të të ndjerit në një vend të shenjtë “garanton që eshtrat nuk do të përjashtohen nga lutjet dhe kujtimet e anëtarëve të familjes së tij ose komunitetit të krishterë” dhe parandalon që i ndjeri “të harrohet ose të tregohet mungesë respekti për eshtrat e tyre”, njoftoi zyra.

Kisha Katolike ka një qëndrim negativ ndaj djegies. Për shekuj me radhë, Vatikani e ndaloi një praktikë të tillë sepse binte ndesh me mësimin e ringjalljes. Ndalimi u hoq në vitin 1963, por Kisha nuk është e prirur për një praktikë të tillë edhe sot.

Dokumenti, i nënshkruar nga kryepeshkopi Victor Manuel Fernandez, kardinali argjentinas dhe kreu i ri i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, i miratuar nga Papa Françesku, është një përgjigje ndaj qasjeve të kreut të Kishës Katolike Italiane, kardinalit Matteo Zuppi.

Ai tha gjithashtu se hiri i të vdekurve mund të përzihet në një urnë të përbashkët, në vend që të mbahej veçmas, për sa kohë që të shënoheshin identitetet e të gjithë të vdekurve, duke siguruar që “kujtimi për ta të mos humbasë”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re