Zjarri i rënë pasditen e djeshme në afërsi të piramidës kufitare nr. 12, në territorin e Bashkisë Kolonjë, vijon të jetë aktiv. Forca të shumta janë angazhuar në terren për të frenuar përhapjen e flakëve, të cilat aktualisht nuk kanë hyrë në Parkun Natyror të Gërmenjit.
Rreth 40 efektivë nga strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri (MZSH), shërbimet e Bashkisë Kolonjë, policia dhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura janë mobilizuar dhe ndodhen në gadishmëri të plotë. Megjithatë, ndërhyrja paraqitet tepër e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe prezencës së mundshme të minave në këtë zonë kufitare, duke rritur rrezikun për forcat në terren.
Autoritetet shqiptare kanë komunikuar me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) si dhe me palën greke, për të garantuar një reagim të koordinuar dhe të përbashkët ndaj situatës.
