Skuadra e europianit të para dy viteve është harruar edhe këtë 2018 Shqipëria po shkon edhe më keq. Pas humbjes në Elbasan ndaj Norvegjisë, Kombëtarja dështon edhe kampingun Zviceran. Pasi humbi me rezultatin 0-3 ndaj Kosovës sot ka pësuar një tjetër humbje turpëruese ndaj Ukrainës.

Sërish ndryshime në formacion për Panuçin, i cili duhet të mendoj skuadrën me të cilën do të luaj tashmë ndeshjet zyrtare që nuk janë larg. Skuadra është e pasigurt në çdo pozitë ndaj duhet ende punë që trajneri italian të vendos pikat mbi “I” për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Në fillimin e ndeshjes Shqipëria u duk ndryshe nga ndeshja me Kosovën por reziston vetëm 30 minuta pasi në të 31’ minutë pëson edhe golin e parë nga Konoplianka. Deri në fundin e këtij fraksioni është Jarmolenko që shënon edhe dy herë të tjera. Kështu janë dy yjet e kombëtares së drejtuar nga Andrij Shevçenko që vulosin ndeshjen që në këtë pjesë ndërsa mbrojtja jonë ashtu si ndaj Kosovës vazhdon të bëj gabime elementare.

Pjesa e dytë nis me ndryshime në skuadër nga Panuçi por edhe kolegu i tij Shevçenko i përgjigjet. Këto lëvizje në formacion nuk sjellin shumë ndryshime madje ritmi në momente të caktuara humbet. Por në fund skuadrat zgjohen ku Emanuele Ndoj shënon golin e nderit për Shqipërinë që është edhe i pari për të me fanellën kuqezi. Por menjëherë pas tij është Konoplianka që hapi serinë e golave në këtë takim që shënon edhe golin e fundit dhe vendos ‘’pokerin’’ ukrainas.

Edhe pse kjo ndeshje pati shumë problem organizimi “Tifozat Kuq e Zi’’ nuk munguan në këtë takim duke i dhënë një mbështetje të madhe kombëtares. Ndërsa në fund ishin fërshëllimat e tifozëve që detyruan Panuçin të ndërpriste intervistën e tij./Berati.TV

SHQIPËRI – UKRAINË      1-4

Shënues: Ndoj 88′ / Konoplianka 31′, 90′, Jarmolenko 36′, 45′

SHQIPËRIA: Berisha, Veseli, Gjimshiti, Mavraj, Hysaj, Lilaj (Ajeti 65′), Ramadani (Qaka 26′), Ndoj, Lenjani (Balaj 46′), Roshi (Memolla 46′), Manaj (Cikalleshi 57′).

Të gatshëm: Hoxha, Selmani, Bujar Lika, Gavazaj, Abazaj, Guri.

UKRAINA: Lunin – Butko (Karavajev 82′), Burda, Krivtsov, Sobol – Malinovski (Sidorçuk 71′), Zinçenko (Kovalenko 71′), Marlos (Shaparenko 57′) – Jarmolenko, Konoplianka – Besedin (Seleznjov 46′).

Të gatshëm: Bojko, Matvienko, Shabanov, Lukianchuk.

Arbitër: François Letexier (FRA) Asistentë 1: Cyril Mugnier (FRA) 2: Raffael Zeder (SUI) Arbitër i katërt: Salem Hakim Ben El Hadj (FRA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re