Skip to content

Vazhdon kaosi në Mineapolis, gaz lotsjellës edhe mbi foshnje…

Tensionet vazhdojnë të rriten në Mineapolis të SHBA, ndërsa një oficer qëlloi dhe plagosi së fundmi një emigrant venezuelian. Ky incident pason vrasjen e aktivistes Rene Gud, duke e çuar qytetin në pragun e luftës civile.

Përshkallëzimi i dhunës e ka shtyrë Donald Trumpin të kërcënojë me aktivizimin e Aktit të Kryengritjes të vitit 1807, një ligj që do të lejonte federalizimin e Gardës Kombëtare dhe përdorimin e ushtrisë kundër qytetarëve amerikanë.

Ndërsa liderët politikë debatojnë për ligjshmërinë e ndërhyrjes federale, pasojat në terren janë tragjike. Sipas një dëshmie rrëqethëse për The New York Times, Shon dhe Destini Xhekson treguan se si u gjendën në mes të zjarrit të kryqëzuar.

Teksa po ktheheshin në shtëpi nga një lojë basketbolli, makina e tyre u rrethua nga agjentët e ICE-së që po përlesheshin me protestuesit. Megjithëse çifti u bëri thirrje agjentëve se po përpiqeshin të largoheshin, forcat federale hodhën granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës direkt drejt automjetit të tyre.

Nga ky sulm, rrezikon jetën familja me 6 fëmijë, më i vogli prej të cilëve vetëm 6 muajsh. Një bombul gazi shpërtheu poshtë makinës, duke aktivizuar airbag-ët dhe duke bllokuar familjen brenda një reje tymi mbytës.

“Foshnja ime ishte plotësisht pa ndjenja, nuk merrte frymë”- tha Destini Xhekson, e cila u detyrua t’i kryente CPR foshnjës në mes të rrugës, ndërsa kalimtarët nxitonin t’u lyenin fëmijët e tjerë me qumësht për t’u neutralizuar djegien e syve.

Dy nga fëmijët, të cilët vuajnë nga astma e rëndë, pësuan kriza respiratore. Ky incident ka nxitur akuza të reja për “pushtim federal” dhe përdorim të tepruar të forcës. Ndërsa Trump lavdëron “patriotët e ICE”në rrjetet sociale, rasti i familjes Xhekson është bërë simboli i tmerrit që po përjetojnë qytetarët e thjeshtë në Mineapolis gjatë këtij janari të përgjakshëm./tesheshi/